Elbasan/ Arrestime, aksidente dhe dhunë në familje, bilanci i Policisë në 24 orët e fundit

0

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka publikuar bilancin e 24 orëve të fundit, ku nuk kanë munguar arrestimet, procedimet penale dhe rastet shqetësuese në disa zona të qarkut.

Në Librazhd, u arrestua shtetasi H. D., i cili u kap jashtë banese, ndërkohë që ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi” për veprën penale “plagosja e rëndë me dashje”.

Po në këtë zonë, nisi procedimi penal për shtetasin B. F., 39 vjeç, pasi u kap duke transportuar lëndë drusore të dyshuar si të prerë në mënyrë të paligjshme në fshatin Lëpushë. Lënda drusore u sekuestrua si provë materiale. Ndërkohë, është shpallur në kërkim edhe një 31-vjeçar, i dyshuar për mashtrim, pasi nuk ka kthyer një shumë parash të marrë borxh.

Në fushën e qarkullimit rrugor, Policia arrestoi në flagrancë dy shtetas, K. B., 25 vjeç dhe E. B., 35 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur.

Ndërkohë, në rrugën “Qemal Stafa”, një 25-vjeçar përplasi me automjet një këmbësore 64-vjeçare, e cila ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Situata mbetet shqetësuese edhe në familje, pasi një 42-vjeçar u procedua penalisht për dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Viktima është pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Të gjitha materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Elbasanit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rasteve.