Investim në infrastrukturë në Mirakë, vijojnë punimet për lidhjen e dy fshatrave

0

Punimet në segmentin rrugor që lidh Mirakë Plane me Mirakë Katund po vijojnë me ritme të qëndrueshme, duke u konsideruar një ndër investimet më të rëndësishme për zonën. Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, së bashku me deputetët Bora Muzhaqi dhe Olsi Komici, kanë inspektuar nga afër ecurinë e këtij projekti.

Projekti, i financuar nga fondet e bashkisë, përfshin sistemimin dhe asfaltimin e rrugës, si edhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve, në përputhje me standardet e kërkuara për infrastrukturën rrugore.

Ky investim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e lëvizjes së përditshme të banorëve, duke afruar komunitetin me qytetin dhe duke lehtësuar transportin e produkteve bujqësore drejt tregjeve.