Bashkia e Librazhdit vijon investimet në përmirësimin e infrastrukturës urbane, me fokus rritjen e cilësisë së shërbimeve për komunitetin. Së fundmi, është realizuar një hapësirë e re parkimi pranë Parkut të Qershive, një zonë e frekuentuar nga qytetarët dhe vizitorët.
Kryetari i Bashkisë, Mariglen Disha, së bashku me deputetët Bora Muzhaqi dhe Olsi Komici, inspektuan nga afër punimet e përfunduara, duke vlerësuar ndikimin pozitiv që ky investim ka në përmirësimin e qarkullimit në zonë.
Projekti, i financuar nga fondet e Bashkisë Librazhd, ka mundësuar krijimin e 40 vendeve të organizuara për parkim, duke sjellë më shumë rregull dhe lehtësi për drejtuesit e mjeteve.
Sipas autoriteteve vendore, ky investim synon jo vetëm të reduktojë problematikat e parkimit, por edhe të përmirësojë aksesin dhe funksionalitetin e hapësirave publike në qytet.
Bashkia e Librazhdit thekson se investime të tilla do të vijojnë edhe në zona të tjera, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e standardeve të jetesës për qytetarët.






