Dikur të gjallëruar nga zërat e fëmijëve dhe jeta komunitare, sot fshatrat po zbrazen me shpejtësi, duke lënë pas një realitet të heshtur dhe të plakur. Të rinjtë janë larguar jashtë vendit në kërkim të një jete më të mirë, ndërsa prindërit kanë mbetur vetëm, duke përjetuar dhimbjen e vetmisë.
Çifti i të moshuarve, Kujtim dhe Rabushe Subashi nga Papri, janë pasqyra më e qartë e kësaj plage sociale. Fëmijët e tyre kanë emigruar, ndërsa ata përballen të vetëm me sfidat e moshës së tretë. Burrë e grua po kalojnë pleqërinë me mallin për fëmijët, nipërit dhe mbesat, mungesa e të cilëve rëndon çdo ditë e më shumë.
Edhe pse rritën pesë fëmijë, sot kanë vetëm njëri-tjetrin. Mungesa e punës i detyroi fëmijët të marrin rrugët e emigrimit, shprehet i moshuari Kujtim Subashi.
Rrugët e boshatisura dhe mungesa e zërave fëmijërorë janë dëshmi e një realiteti të ri, ku jeta sociale në fshat po zbehet dita-ditës.





