Bashkia e Librazhdit hap sezonin turistik me “Egnatia Fest 2026”

0

Librazhd, 17 Maj 2026 – Bashkia e Librazhdit ka hapur zyrtarisht sezonin turistik, duke promovuar bukuritë natyrore dhe potencialin turistik të rajonit, pjesë e të cilit janë shpallur edhe monumente natyrore.

Territori i Librazhdit njihet për Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, liqenet akullnajore, shpellat, florën dhe faunën e pasur, si dhe për pikat turistike të Fushë-Studenit. Rruga historike Egnatia kalon gjithashtu në këtë territor, duke i dhënë një rëndësi të veçantë rrjetit turistik dhe lidhjes me destinacione të tjera.

Bashkia ka investuar në infrastrukturë dhe promovimin e turizmit, duke sjellë zhvillim dhe rritje të mirëqenies për banorët e zonës. Në këtë kuadër u organizua “Egnatia Fest 2026”, një aktivitet që bashkoi operatorë turistikë, biznese lokale, traditë dhe pasuritë më të mira natyrore dhe kulturore të Librazhdit.

Në event ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë Mariglen Disha, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla dhe deputetët Bora Muzhaqi dhe Olsi Komici. Ata vizituan stendat e rreth 50 operatorëve dhe bizneseve që promovojnë agroturizmin, produktet tradicionale dhe potencialin turistik të rajonit.

Kryetari i Bashkisë, Mariglen Disha, u shpreh:
“Librazhdi tashmë nuk është më thjesht një qytet tranzit, por një bashki me turizëm malor të zhvilluar. Për këtë vit presim mbi 300 mijë turistë. Investimet në infrastrukturë dhe promovimin e turizmit po ndryshojnë fytyrën e qytetit dhe ofrojnë mundësi të reja për ekonominë lokale.”

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, shtoi:
“Paketa e maleve do të zhvillojë më tej turizmin në Librazhd. Po ashtu, investimet në Korridorin e 8-të pritet të rrisin ndjeshëm fluksin e vizitorëve dhe të sjellin përfitime për bizneset lokale. Librazhdi ka potencialin për t’u bërë një destinacion turistik i rëndësishëm në rajon.”

Librazhdi ofron një kombinim unik të natyrës, gatimeve tradicionale, mikpritjes dhe traditave, duke e bërë atë një destinacion tërheqës për vizitorët nga e gjithë bota gjatë gjithë vitit.