Një ndër temat që u diskutuan mbrëmjen e sotme në emisionin “Zonë e Lirë” ishte edhe lufta në Ukrainë. Ndërsa është bërë një vit nga pushtimi rus, ekspertët Ervin Karamuço dhe Ilir Kulla diskutuan edhe për rrezikun me të cilin mund të përballet Ballkani si pasojë e kësaj lufte.
Eksperti i Sigurisë, Ilir Kulla, tha se nuk bëhet fjalë për grupe të caktuara, por për një doktrinë të mirëfilltë ruso-serbe. Ai shtoi se Serbia është furnizuar me armë gjatë viteve të fundit, dhe sipas tij, një ushtri e armatosur në kufi me Kosovën, përbën një rrezik real për Ballkanin.
“Në Kosovë ka aktivitet të shërbimit rus. Në veriun e Kosovës ka që në ’99 kur ka hyrë ushtrua serbe, ka veprim të drejtpërdrejtë të shërbimit sekret rus. Ka aktivitet të drejtpërdrejtë të shtetit rus dhe Serbisë. Qëndron në planet e Rusisë prej shumë kohësh ndryshimi i kufijve në Ballkan.
Në Ballkan ka një doktrinë të mirëfilltë ruso-serbe. Konflikti është transferuar sepse është një shtet, kandidat për në BE, ka 10 vjet që armatoset dhe blen armatime më moderne. Serbia ka blerë armatime në Rusi, Kinë dhe vendet perëndimore. Mundësia është e lartë sepse është në politikë.
Ushtria serbe dhe ruse janë të lodhur fort në bashkëpunim ekonomik dhe ushtarak. Nuk është çështje e disa grupeve të vogla por e një politike që vjen nga lart. Problemi real është që një ushtri e mirëfilltë e armatosure, me ndihmën e Rusisë dhe Kinës në kufijtë e Kosovës është një kërcënim real për paqen.”, – tha Kulla.