Dritat e ndezura në ballkonet e banesave në orët e para të mëngjesit janë një tregues i qartë i konsumimit të syfyrit nga besimtarët myslimanë, të cilët po agjërojnë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Ndër vite, edhe në Elbasan vihet re një rritje e numrit të besimtarëve që mbajnë agjërimin.
Interesi për të agjëruar është rritur veçanërisht edhe tek të rinjtë, madje edhe tek fëmijët, të cilët po i bashkohen gjithnjë e më shumë kësaj praktike fetare. Shumë prej besimtarëve tregojnë se agjërimin e kanë mbajtur prej dekadash, madje edhe në periudhën kur sistemi monist e kishte të ndaluar ushtrimin e besimit fetar.
Besimtarët shprehen se ndihen të lumtur që kanë mundësinë të agjërojnë në këtë muaj të shenjtë dhe përcjellin mesazhe paqeje, solidariteti dhe mirëkuptimi për të gjithë shoqërinë.
Agjërimi është një nga pesë shtyllat themelore të Islamit dhe konsiderohet detyrim për të gjithë besimtarët e rritur që nuk kanë probleme shëndetësore. Nga agimi deri në perëndim të diellit nuk konsumohet ushqim dhe shmangen marrëdhëniet intime.
Muaji i shenjtë i Ramazanit përmbyllet me festën e Fitër Bajramit, e cila shënon edhe përfundimin e periudhës së agjërimit.
Infoweb Media





