Agron Gega emërohet Administrator i ri i Klubit të Futbollit “Sopoti” i Librazhdit

0

 

Nga Fatmir Popja

Në një takim zyrtar të zhvilluar në ambientet e Bashkisë së Librazhdit, Agron Gega është prezantuar si administrator i ri i Klubit të Futbollit “Sopoti”, duke marrë kështu një detyrë me përgjegjësi të lartë në drejtimin dhe menaxhimin e një prej simboleve sportive të qytetit.Kryetari i Bashkisë, z. Mariglen Disha, vlerësoi lart eksperiencën dhe profesionalizmin e Gegës, duke u shprehur i bindur se emërimi i tij do të sjellë një frymë të re organizimi dhe zhvillimi për klubin. “Agron Gega ka të gjitha kapacitetet për të udhëhequr klubin drejt një etape të re suksesi. Jemi të sigurt që ai do të punojë me përkushtim për të forcuar strukturat dhe për të rritur performancën sportive të ekipit”, u shpreh Disha.Në të njëjtën kohë, kryebashkiaku falënderoi Ermir Sulollarin për kontributin e dhënë gjatë viteve të fundit në drejtimin e klubit, duke theksuar se puna e tij ka qenë thelbësore në mbajtjen gjallë të shpirtit sportiv në Librazhd.Bashkia e Librazhdit ka riafirmuar angazhimin e saj për të mbështetur të gjitha ekipet sportive në qytet, duke e konsideruar sportin një pjesë të rëndësishme të jetës komunitare dhe edukimit të brezave të rinj.
Emërimi i administratorit të ri është një hap domethënës në konsolidimin dhe drejtimin strategjik të klubit “Sopoti”. Zyrtarët lokalë dhe qytetarët librazhdas i kanë shprehur Gegës urimet më të përzemërta për detyrën e re duke i dëshiruar sukses në përmbushjen e objektivave që kanë në qendër ngritjen e nivelit sportiv dhe rikthimin e ekipit në Kategorinë e Parë.
Futbolli në Librazhd mbetet një pjesë e rëndësishme e identitetit dhe kulturës sportive lokale. Me emërimin e Gegës, shpresat për një të ardhme të ndritur për “Sopotin” janë më të forta se kurrë.Ky ekipi rreth një çerek shekulli më parë ishte pjesë e elitës dhe futbollit shqiptar dhe në përbërje të tij ishin futbollistë që kanë lënë gjurmë në historinë e këtij sporti jo vetëm në rang lokal , por në rang kombëtar .