Një prej komedive bashkëkohore më të vlerësuara në arenën ndërkombëtare u shfaq mbrëmjen e së martës në amfiteatri i Durrësit.
“Vanja & Sonja & Masha” erdhi për herë të parë për publikun durrsak me regjinë e Driada Dervishit dhe me një staf të mrekullueshëm aktorësh, si Yllka Mujo, Neritan Liçaj, Olta Daku, Zamira Kita, Xhuliano Brisku etj.
“Vijmë për herë të parë për publikun durrsak me këtë shfaqje në amfiteatrin e qytetit dhe ku ka më bukur se ndërthurja e elementëve të komedisë bashkëkohore dhe magjisë që merr nga amfiteatri,” – tha regjisorja Driada Dervishi.
Me humorin e hollë dhe me thellësinë e mendimit, vepra synonte t’i vinte afër shikuesit me shumë fenomene të shoqërisë moderne.
Publiku tejmbushi karriget, duke bërë që shfaqja të kishte numrin më të madh të spektatorëve të mbledhur ndonjëherë në amfiteatrin e qytetit.