Anija “Titan” që lundron nën flamurin moldav u nis disa ditë më parë nga porti kroat i Splitit për në Portin e Durrësit. Kjo është anija e dytë që shkarkohet në port gjatë këtij muaji, pas anijes së fundit ruse “Slavianka” që solli një ngarkesë rreth 3000 tonësh.
Importuesit shqiptarë të grurit pohuan se me të shpërthyer konflikti kanë ndryshuar burimet e furnizimit nga Rusia. Disa prej tyre kanë nënshkruar kontrata të reja furnizimi me Serbinë. Gruri nga Serbia vjen në Shqipëri me kamion nëpërmjet Kosovës dhe rrugës së Kombit. Vitin e kaluar nga Serbia u importua 35% e sasisë vjetore, por me prishjen e kontratave me Rusinë importet e grurit serb do të zgjerohen me tej.
Importuesit pohuan se sasitë në Serbi u kontraktuan dhe u paguan menjëherë sa nisi lufta në Rusi kështu që vendimet që mund të marrë qeveria serbe për kufizimin e këtyre eksporteve nuk do të jenë të vlefshme për kontratat shqiptare.
Përveç Serbisë, importuesit shqiptare kanë gjetur burime furnizimi dhe garanci për furnizime me drithëra nga disa vende të tjera Europës Lindore, si Hungaria, Bullgaria, Rumania, Franca dhe Italia. Në qershor pritet që çmimet e grurit të ulen në pritje të korrjeve të para. Një ton grurë kushtoi dje në bursa mbi 1100 dollarë nga më shumë 1300 USD në javën e parë të luftës.
Vitin e kaluar erdhi nga Rusia 46 për qind e totalit të drithërave të importuar, ndërsa 4 për qind erdhën nga Ukraina, sipas INSTAT. Te dy vendet në konflikt janë lojtar të rëndësishëm global në eksportin e drithërave.
Importuesit kryesor të grurit premtojnë se vendi nuk do të mbetet pa furnizime, por çmimet do të jenë më të larta.
Portet ruse dhe ukrainase në Detin e Zi janë mbyllur tashmë. Rusia dhe Ukraina përbëjnë rreth 29% të eksporteve globale të grurit, 19% të furnizimeve botërore të misrit dhe 80% të eksporteve botërore të vajit të lulediellit. Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare po mbështesin financiarisht fermerët në Ukrainë që të mbajnë mbjelljet dhe të korrat nën kontroll.
Që nga fillimi i shkurtit indeksi i çmimeve të drithërave dhe farave vajore i përpiluar nga Këshilli Ndërkombëtar i Drithërave është rritur me 17%.
Çmimi i grurit u rrit me 28 %, misrit 23% dhe elbit 22% . Mungesa e papritur dhe rritja e çmimeve do të godasin rëndë vendet e varfra dhe qytetarët e tyre më të varfër. Familjet me të ardhura të ulëta shpenzojnë shumë më tepër nga të ardhurat e tyre për ushqimet kryesore si buka, sesa familjet me të ardhura të larta. Buka zë më shumë se 20 % të kalorive ditore në rang global.
Gjatë gjithë historisë, dhuna dhe trazirat kanë ardhur nga rritja e çmimeve të mallrave. Egjipti u godit nga trazirat e bukës dhe racionimi në vitin 2017. Kazakistani pësoi protesta masive në janar pas rritjes së çmimeve të gazit të lëngshëm.
Për fat të mirë, prodhuesit e mëdhenj të grurit në hemisferën jugore, Australia dhe Argjentina, kanë prodhuar në rekorde historike, por zinxhirët e furnizimit me ushqim dhe stabiliteti global janë në testim./MONITOR