Armir Boriçi, ylli i ri i Elbasanit i cili po synohet edhe nga ‘Seria A’

0

Klubi i Elbasanit po shfaq një qasje të qartë për të ndërtuar të ardhmen, jo vetëm për të garuar në sezonin aktual.Në këtë fazë përgatitore, skuadra nuk është fokusuar vetëm te rezultatet e miqësoreve, por mbi të gjitha te evidentimi i talenteve të rinj që po përgatiten të marrin më shumë përgjegjësi në ekipin e parë. Stafi teknik, i drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç, ka bërë të qartë se projekti i Elbasanit do të mbështetet gjithnjë e më shumë te baza vendase dhe futbollistët e rinj të dalë nga grupmoshat e klubit.

Kjo filozofi ka nisur të zbatohet me hapa konkretë dhe rezultatet e para janë tashmë të dukshme në fushë. Në ndeshjet miqësore të zhvilluara gjatë kësaj vere, janë aktivizuar një numër i konsiderueshëm lojtarësh të rinj, disa prej të cilëve kanë marrë shumë minuta. Ajo që bie në sy është guximi i klubit për të investuar kohë dhe besim te lojtarët që nuk kanë ende eksperiencë, por që shihen si pjesë kyçe e së ardhmes së afërt.

SPIKAT NJË 16-VJEÇAR – Një nga emrat më interesantë që ka dalë në pah gjatë këtyre miqësoreve është mesfushori 16-vjeçar, Armir Boriçi. Futbollisti i talentuar ka qenë pjesë e strukturave zinxhir të Elbasanit dhe debutimi i tij me skuadrën e parë ka ardhur që në sezonin e kaluar, në një ndeshje të Kupës ndaj Ilirisë, ku u hodh në fushë nga trajneri i atëhershëm Roberto Bordin. Ai la përshtypje pozitive në atë paraqitje, ndërsa këtë verë po tregon se ai debutim nuk ishte rastësi. Në miqësoren e fundit ndaj Tiranës, e zhvilluar në Greqi, Boriçi u aktivizua për plot 80 minuta dhe tregoi personalitet, qetësi dhe vizion në mesin e fushës. Trajneri Gvozdenoviç po e shikon me shumë vëmendje zhvillimin e tij, dhe nuk përjashtohet mundësia që 16- vjeçari të jetë një nga emrat që do të përfshihen rregullisht në listën e ndeshjeve zyrtare të këtij sezoni.

INTERESIMI NGA BOLONJA – Vlerësimi për Boriçin ka kaluar edhe kufijtë e kampionatit shqiptar. Në muajin janar, ai ka qenë për një periudhë prove te ekipi i të rinjve të Bolonjës në Itali, një eksperiencë që tregon se talenti i tij është vënë re edhe jashtë vendit. Edhe pse nuk u konkretizua një transferim, ftesa e marrë nga një klub i Serisë A në këtë moshë është një tregues i qartë i potencialit të madh që posedon. Elbasani e ka në duar një talent të çmuar dhe, me zhvillimin e duhur, Boriçi mund të jetë një nga emrat që do të spikasë në futbollin shqiptar në vitet në vijim. Boriçi aktualisht është edhe pjesë e Kombëtareve të moshave në vendin tonë. Megjithatë, mbetet për t’u parë minutat që do të marrë në fushën e lojës, por mësohet se drejtuesit e kanë vënë si “kusht” që këtë sezon lojtarët e akademisë nuk do të ftohen thjesht për seanca stërvitore apo qëndrojnë në pankinë, por edhe të aktivizohen.