Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përshëndetur marrëveshjen për armëpushim në Gaza, e cila i jep fund mbi 15 muajve të konfliktit në rajon. Në një postim në rrjetin social “X”, Kreu i Shtetit vlerësoi përpjekjet ndërmjetësuese të Shteteve të Bashkuara, Katarit, Egjiptit dhe aktorëve të tjerë, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të kësaj marrëveshjeje.
“Marrëveshja për armëpushim në Gaza shënon fundin e një konflikti të zgjatur që ka shkaktuar vuajtje të mëdha. I vlerësoj përpjekjet e ndërmjetësimit dhe theksoj se zbatimi i plotë i marrëveshjes është thelbësor për një paqe të qëndrueshme dhe për lehtësimin e vuajtjeve të të prekurve në rajon,” u shpreh Presidenti Begaj në mesazhin e tij.
Kjo marrëveshje konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt stabilizimit të situatës në Gaza, ndërsa palët janë zotuar për respektimin e kushteve të saj për një të ardhme më të sigurt dhe paqësore në rajon.