Arvizu ‘godet’ Kim: Liderin e Opozitës e zgjedhin shqiptarët, jo Uashingtoni!

0

TIRANË- Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Alexandër Arvizu ka ‘shënjestruar’ pasardhësen e tij, Yuri Kim, e cila nuk e njeh Sali Berishën si lider të demokratëve, duke qenë se është shpallur non-grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në një intervistë për EuroNews, Arvizu tha se të vetmit që kanë të drejtë të zgjedhin liderin e Opozitës janë shqiptarë, asnjë ambasador apo përfaqësues i vendeve mike e aleate. Në mënyrë jo të drejtëpërdrejtë, Arvizu kërkoi që Kim të kishte respekt për votën e shqiptarëve dhe për vendimet e marra prej tyre, referuar deklaratave të bëra prej saj, pas rikthimit të Berishës në PD. Uashingtoni, sipas ish-diplomatit, mundet vetëm të japë opinione, brenda normave të respektit.

“Për mua dhe për çdo ambasador amerikan, e rëndësishme është të tregojmë respekt për qytetarët shqiptarë. Shqiptarët e dinë dhe e kuptojnë fare mirë se çfarë do të thotë të respektohen. Respekti duhet treguar në çdo gjë që bën. është me rëndësi që qytetarët të kuptojnë se, këdo që zgjedhin për një lider politik, mes qeverisë dhe opozitës, nuk është një vendim që i takon Uashingtonit, as qeverive të vendeve anëtare të BE-së, por një vendim që u takon vetëm shqiptarëve. Kjo duhet kuptuar shumë qartë, qytetarë, është opozita juaj, qeveria juaj. Mendoj se përgjegjësia e qeverive mike si SHBA dhe BE, sepse Amerikës i intereson Shqipëria, qoftë demokratë apo republikanë, është e përshtatshme që të japim një opinion me respekt, por këto lloj vendimesh, se kush është në opozitë dhe kush është në qeveri, u takon qytetarëve shqiptarë. Kjo nuk është një zgjedhje amerikane, është një zgjedhje shqiptare dhe këtë dua të shoh. Nëse përfshihet zoti Berisha apo jo, kjo u takon shqiptarëve, por duhet të ketë një përforcim të opozitës në Shqipëri, ndryshe nuk do të ishte mirë për askënd,”- theksoi ai.

Pas shpalljes non-grata dhe humbjes për të disatën herë në zgjedhje përballë kryeministrit Edi Rama, Berisha vendosi të kthehet në postin e kreut të PD-së. Përmes votës, ai rimori karrigen e liderit historik të bluve, por ky post nuk i është ‘njohur’ nga ndërkombëtarët, kryesisht përfaqësueses së SHBA-ve, Yuri Kim. Kjo e fundit u ka bërë shumë herë thirrje shqiptarëve për distancim nga Berisha dhe kahun e saj e ka treguar mjaft qartë, pasi në çdo takim me Opozitën, personi që kishte përballë ishte Enkelejd Alibeaj, përfaqësuesi i një grupi të PD-së, që gjithashtu nuk e njohin Berishën. Edhe para përçarjes së PD-së, Kim tregonte mbështetjes të vazhdueshme ndaj ish-krydemokratit Lulzim Basha. Madje në një rast përdori shprehjen ‘demokratët të mos hanë bar’, fjalë që nxitën reagime të shumta.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu