Asani nderon Shqipërinë në miqësoren me Gjibraltarin

0

Shqipëria ka fituar me rezultatin minimal 1-0 në ndeshjen miqësore të zhvilluar me Gjibraltarin këtë të enjtë.

Pavarësisht kundërshtarit modest, kuqezinjtë shfaqën shumë pak agresivitet në pjesën e parë, ku rastet për shënim ishin të vakta.

Pavarësisht se Daku-Broja dhe Asani e nisën që nga minuta e parë rastet munguan, loja u zhvillua më shumë në mesfushë dhe ishin të pakta gjuajtjet në drejtim të portës.

Në pjesën e dytë braziliani Silvinjo bëri disa ndryshime duke hedhur në fushë Kristian Shpendin, i cili dha shkëndijat që me prekjen e parë të topit.

Ishte merita e Shpendit edhe te goli, pasi ishte pikërisht ai që fitoi 11-metërshin në minutën e 69-të, duke detyruar mbrojtësin kundërshtar të prekte topin me dorë. Ishte Asani ai që mori përsipër goditjen e 11-metërshit, duke u treguar shumë i saktë para porte.

Ndërkohë që në këtë sfidë Silvinjo i dha mundësinë të debutonte nga minita e parë mbrojtësit Maldini Kacurri, si dhe portierit Dajsinani i cili e nisi titullar, për tu zëvendësuar në minutën e 61-të nga Simoni.