Të paktën 18 anëtarë të 5 familjeve mbetën në qiell të hapur në Burrel, pasi pesë banesat e tyre u shkrumbuan nga zjarri mbrëmjen e të premtes. Zjarri përfshiu njërën nga banesat, dhe më pas u përhap në katër të tjera duke i djegur tërësisht. Familjet që mbetën pa strehë kërkojnë ndihmë nga institucionet, ndërsa zyrtarët e bashkisë Mat u shprehën se do trajtohen sipas ligjit.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse, të cilat për disa orë arritën të shuajnë flakët, të cilat shkatërruan gjithçka në pesë banesa, por fatmirësisht asnjë person nuk u lëndua. Pronarët e banesave treguan për tmerrin e përjetuar nga zjarri, ndërsa kërkojnë ndihmë për strehim.
Deri më tani mbetet i paqartë shkaku i zjarrit, teksa dyshohet se ai është shkaktuar aksidentalisht nga një shkëndijë elektrike.
Një zyrtar i bashkisë Mat, u shpreh se familjet do të trajtohen sipas ligjit të emergjencave civile.
Familjet që mbetën pa strehë janë ajo e: Elton Pjetrit me 5 anëtarë, Fatmir Bushati me 2 anëtarë, Sokol Skilla me 5 anëtarë, Dava Zenelcanaj me 4 anëtarë dhe Isen Lika me 2 antarë.