Librazhd– Banorët e fshatit Mirakë në Librazhd kanë bllokuar sot aksin nacional Elbasan-Librazhd, në shenjë proteste ndaj mungesës së një rruge dytësore që të hyjë në fshat gjatë ndërtimit të rrugës.
Protesta ka shkaktuar bllokimin e qindra drejtuesve të mjeteve për rreth 30 minuta.
Rreth 7,000 banorë nga pesë fshatra të kësaj zone janë izoluar dhe nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje për këtë problem.
Banorët kanë kërkuar ndihmë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje për shqetësimin e tyre.
Protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë me bllokimin e aksit nacional çdo ditë deri në zgjidhjen e problemit të tyre. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa banorët kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme për të lehtësuar qarkullimin dhe për të siguruar aksesin e tyre në rrugën kryesore.





