BE nënshkruan kontratë për 110 mijë doza vaksinash për linë e majmunëve

0

Komisioni Evropian nënshkroi të martën një marrëveshje me kompaninë farmaceutike daneze, “Bavarian Nordic” për mbi 110,000 doza vaksinash për të luftuar shpërthimin e vazhdueshëm të lisë së majmunëve.

Ndryshe nga vaksinat e COVID-19, të cilat u kontraktuan nga Komisioni Evropian, por paguheshin individualisht nga vendet e BE-së, kontrata mbi vaksinat për linë e majmunëve do të financohet fillimisht nga buxheti i përbashkët i BE-së.

Kjo është hera e parë që buxheti i BE-së po përdoret për të blerë vaksina në mënyrë që të mund të shpërndahen sa më shpejt në vendet anëtare.

Që nga 18 maji I këtij viti, rreth 900 raste të lisë së majmunëve janë raportuar në 19 vende të BE-së, në Norvegji dhe Islandë. Dërgesat e para të dozave do të fillojnë në fund të qershorit, në ato vende që kanë më shumë nevojë.

Lija e majmunit është një virus që e ka origjinën tek kafshët e egra, si brejtësit dhe primatët, dhe që ndonjëherë kalon edhe tek njerëzit. I përket të njëjtës familje virusësh të lisë.

Infektimi i parë tek njeriu ndodhi në vitin 1970 tek një djalë në një zonë të largët të Kongos. Në vitin 2003, 47 persona në gjashtë shtete amerikane u infektuan nga qentë e egër që jetonin pranë disa gjitarëve të vegjël të importuar nga Gana. OBSH-ja vlerëson se tashmë ka mijëra raste të tilla në vit kryesisht në vende afrikane dhe se kjo sëmundje mund të rezultojë fatale për 1 në 10 persona.

Shumica e pacientëve të infektuar me linë e majmunit kanë vetëm temperaturë, dhimbje në trup, ethe dhe lodhje.

Njerëzit e sëmurur më rëndë mund të kenë irritim të lëkurës në fytyrë dhe duar që mund të përhapet në pjesë të tjera të trupit.

Marrë nga REL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu