Belsh pas motit të keq ,Shërbimet publike dhe emergjencat civile në terren për normalizimin e situatës

0

 

Pas përkeqësimit të papritur të motit që përfshiu qytetin e Belshit dhe zonën e Dumresë gjatë pasdites së së premtes, strukturat vendore kanë ndërmarrë menjëherë masa për përballimin e pasojave dhe rikthimin e normalitetit në zonat e prekura.
Reshjet e dendura të shiut dhe breshërit, të shoqëruara me erëra të forta, krijuan vështirësi në qarkullim dhe përmbytje të përkohshme në disa segmente rrugore. Për shkak të sasisë së madhe të ujërave, kolektorët nuk mundën të përballonin prurjet, duke shkaktuar përmbytje dhe grumbullime uji në zona të ndryshme të qytetit.
Menjëherë pas kalimit të frontit të motit të keq, Agjencia e Shërbimeve Publike, në bashkëpunim me strukturat e Emergjencave Civile, u mobilizua në terren për të ndërhyrë në eliminimin e pasojave. Ekipet punuan për pastrimin e rrugëve, zhbllokimin e pusetave dhe kolektorëve, si dhe për të siguruar qarkullimin e lirë dhe të sigurt për qytetarët.“Reagimi i shpejtë ishte thelbësor për të parandaluar përkeqësimin e situatës dhe për të garantuar sigurinë e banorëve. Të gjitha njësitë tona ishin në gadishmëri dhe vepruan menjëherë sapo kushtet atmosferike e lejuan”, deklaruan burime nga Bashkia Belsh.Aktualisht, situata në qytet është drejt stabilizimit, ndërsa shërbimet mbeten në monitorim të vazhdueshëm për çdo eventualitet të mundshëm.
Autoritetet lokale i falënderojnë qytetarët për bashkëpunimin dhe u bëjnë apel të qëndrojnë të informuar përmes burimeve zyrtare në rast përsëritjeje të kushteve atmosferike të vështira.