Berisha: Kryebashkiakja e Kurbinit mobilon zyrën me 160 mijë euro, me mobilje antistres

0

KURBIN- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar kryebashkiaken e Kurbinit se ka shpenzuar 160 mijë euro duke mobiluar zyrën. Gjatë një takimi me banorët në Kurbin, Berisha ka deklaruar se Majlinda Cara ka blerë mobilje anti-stres për vetën e saj në zyrë, duke e ironizuar se ka stres shumë.

“Demokrate dhe demokratë të Kurbinit, qytetare e qytetarë, vëllezër e motra, përshëndetjet e mia më të zjarrta, mirënjohjen time më të pakufishme ndaj jush. U garantoj se jam ndjerë dhe ndjehem krenarë dhe mirënjohjës pafundësisht, për mbështetjen tuaj jashtëzakonisht të çmuar. Kam kënaqësi të madhe që vij sot dhe ju sjell këtu mesazhin e fitores nga Dibra, Klosi, Mati, por fitorja pa ndaluar në Mamurras, nuk mund të shkonte kurrë më tutje. Kam nder të madh që vij sot për të paraqitur këtu kandidatin tuaj për kryetar të Bashkisë së Kurbinit, z. Behar Haxhia, me bindjen më të madhe se Behar Haxhia është një përfaqësues dinjitoz i juaji. Është një banor, qytetar me vlerat dhe virtytet më të arrira të banorëve të Kurbinit. Behar Haxhia është gjithashtu një veprimtar i kahershëm i PD-së dhe një qeveritar vendor i saj shumë i aftë, shumë i zoti, të cilin e njeh i gjithë Kurbini për punën e tij.

Behar Haxhia ishte këtu para jush dhe është i gatshëm të dalë para çdo banori të Kurbinit, të japë llogari, të japë përgjigje për gjithçka që mund ti interesojnë atij dhe qytetarëve të Kurbinit. Behar Haxhia është i vendosur të shkrijë të gjithë energjinë e tij për të ju shërbyer ju, për të garantuar shërbimet më të mira, por edhe për të ju drejtuar ju, për të udhëhequr ndryshimin jetik për Kurbinin. Për të shënuar ndryshimet e mëdha të gjithanshme. Për të shfrytëzuar të gjitha potencialet e këtij rrethi në interesin më të mirë të banorëve të tij. Behar Haxhia pra ka të gjithë mirësjelljen, qytetarinë, mençurinë, aftësitë për të qenë qytetari i parë i bashkisë tuaj dhe për ta kthyer bashkinë në shtëpinë e parë tuajën, për të vendosur qytetarin në epiqendër të jetës së bashkisë. Behar Haxhia ka një rivale, e cila jo vetëm që fshihet vetë nga ju, por e fsheh edhe Edi Rama. Po vija dhe nuk po shifja kund, ja ka zhdukur të gjitha portretet Majlindës. Unë nuk do të doja, ua them këtu, që të thoja qoftë edhe një çerek fjale të papërshtatshme për një zonjë. Majlinda, kryetarja arredon bashkinë, zyrën me 160 mijë euro, me mobilje antistres, se është stresuar shumë zonja,” tha Berisha.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu