Funeralet falas, e vërteta tragjike e një vendi të braktisur

0

Premtimi se nëse ju sot vdisni ne do t’ju nderojmë është një e vërtetë tragjike që ngjason me skenat e komedisë “Një baba Tepër”, në një qark që i ka ngelur vetëm propaganda, edhe pse ka dy ministra në qeveri.

Ka nisur një përçmim publik për premtimin të kandidatit të opozitës në Libohovë, Adil Xhelili. Premtimi i tij se nëse qytetarët e Libohovës do të votojnë atë dhe në këmbim do të marrin një funeral falas të paguar nga bashkia po shihet si një donkishotizëm në një realitet kontravers ku paguhet 500 euro për të ndjekur finalen e një emisioni në TV.

Libohova, një qytezë në juglindje të Gjirokastrës e shtrirë në këmbët e malit Bureto banohet aktualisht nga rreth 3200 banorë. Emigrimi e ka goditur edhe këtë qytezë e cila do të ofronte shumë më shumë nëse vëmendja lokale dhe qëndrore ndër vite do të kishte qenë ndryshe.

Sot, në Libohovë mbizotëron mosha e tretë. Të moshuarit që jetojnë me bujqësi dhe blegtori ose me pensionet dhe ndihmat e fëmijëve janë “jeta” e qytetit. Të rinjtë janë larguar, bashkë me ta edhe premtimet për vende pune apo një qendër urbane që do të gëlonte nga rinia.

Në Libohovë mund të jetë çudi të premtosh “normalen”, atë që zhvillon politikën lokale, me pastrim mbetjesh, vende pune, insfrastrukturë dhe projekte strategjike. Premtimi se nëse ju sot vdisni ne do t’ju nderojmë është një e vërtetë tragjike që ngjason me skenat e komedisë “Një baba Tepër”, në një qark që i ka ngelur vetëm propaganda, edhe pse ka dy ministra në qeveri.

Të premtosh se do të hapësh vende kur nuk ka punëtorë, se do të asfaltosh rrugë kur nuk ka makina, se do të ndërtosh shkolla kur nuk ka nxënës, se do të japësh kredi të buta kur nuk ka çifte, se do të ndërtosh çerdhe dhe parqe kur nuk ka fëmijë që ti frekuentojnë ato është hipokrizi. Kjo sot është një e vërtetë e një vendi që po braktiset dita-ditës.

Në Libohovë, nuk mund të premtosh bonus për beben kur çiftet e reja ikin në emigrim, nuk mund t’ju premtosh asgjë atyre që luajnë me jetën në kanalin e La Manshit. Atje mund të premtosh vetëm për fundin e ciklit jetësor. Azile, varreza, zjarrfikëse. Kjo është bota e tyre.

Ky nuk është një premtim kulturor dhe as bamirësi. Është një premtim realist ku në situatën lokale, larg metropolit ku zbrazja ende nuk po ndihet, të moshuarit e gjendur vetëm nuk mund t’ju ofrosh të vizitojnë kalanë e Ali Pashës, për të motrën Shanisha. Për ta kuptuar mjafton të shikosh pamjet e takimeve elektorale. Në këto fotografi nuk ka portrete të gëzuara. Ky është realiteti dhe do të ishte mirë të nisnim ta kuptonim nga pak të gjithë. Dosja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu