TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka thënë se kryeqyteti jonë ka banesa bosh më shumë se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit së bashku. Në deklaratat e përditshme gjatë tubimeve poshtë banesës së tij, ai tha sot se narkoeurot kanë shkatërruar përfundimisht tregun e banesave.
Berisha tha se vendi po ecën drejt një krize të tmerrshme falimentuese të industrisë së ndërtimit. Ai shtoi se qytetarët që dëshirojnë të blejnë një apartament në Tiranë, e kanë të pamundur pasi sipas tij paratë e drogës nuk i lejojnë.
Deklarata e plotë:
Miqtë e mi, narkoeuro ka shkatërruar përfundimisht tregun e banesave. Shqipëria sot, Tirana sot ka banesa bosh më shumë se të gjitha vendet e Ballkanit të marra së bashku. E megjithatë, kullat, monumentet e drogës dhe korrupsionit, lartësohen çdo ditë.
Çmimet shkojnë në stratosferë. Vendi ecën drejt një krize të tmerrshme falimentuese të industrisë së ndërtimit.
Çdo qytetar që do të blejë një shtëpi në Tiranë, e ka të pamundur, sepse paratë e drogës nuk e lejojnë atë. Narkoeuro e mban çmimin në stratosferë.