Bilanci i Mbrojtjes: Mbi 500 efektivë të FA të angazhuar në shuarjen e flakëve

0

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë detaje në lidhje me situatën aktuale të zjarreve në vend. Siç bëri të ditur me herët edhe kryeministri Edi Rama aktualisht në vend janë aktive 13 vatra zjarri.

Siç njoftohet, në Gadishullin e Karaburunit vijon të ketë prani vatrash zjarri, por pa rrezik për banesat. Prani të zjarreve ka edhe në fshatin Cukal, në Shkodër, gjithashtu pa rrezik për banesat.

Në Gjirokastër, vijon zjarri në vatrat në luginën e Lunxhërisë, por pa rrezik për banesat ndërsa Forcat e Armatosura po punojnë së bashku me ato të pushtetit vendor për shuarjen nga toka.

Puna po vijon për shuarjen e flakëve në kodrën e pishave në fshatin “Arshi Lengo”, ku veç forcave operacionale ndërhyrja vijon nga ajri me helikopter. Zjarret në Fushë-Arrëz rrezikojnë të kalojnë në zonat e banuara, ndaj në ndihmë të forcave që po vijojnë punën prej orësh është dërguar edhe një helikopter për mbështetje nga ajri.

Vatra të tjera zjarri, por pa rrezik për jetët e njerëzve dhe banesave janë në monitorim në bashkinë Tepelenë, pyllin e fshatit Shetaj, në fshatin Manskuri në Durrës. Në fshatin Lukan në Dibër, në bashkinë Mallakastër dhe në fshatin Shelcan në Elbasan.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për shuarjen e flakëve në disa zona të vendit janë angazhuar mbi 500 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët vijojnë pa u lodhur punën nga toka dhe nga ajri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu