Bledian Koka: “Funerali” elektoral i Rilindjes dhe një gabim i PD në çeljen e fushatës

0

Ka nisur zyrtarisht fushata me dy ceremoni të ndryshme në sheshet kryesore të Tiranës. Atmosfera dhe programet, kandidatët dhe mesazhet. Kush do ta fitojë këtë garë që është më vendimtarja e 30 viteve? Flet , Bledian Koka

Dy partitë e mëdha çelën fushatën zyrtare në dy modele të ndryshme; PS online, ndërsa PD me makina, por që u kthye në një tubim me njerëz. Si i lexuat këto dy momente? Sipas jush ku ndryshojnë PS e PD në planin e imazhit dhe mesazhet që përcollën?

Ajo që ndodhi dje tregoi se dy partitë kanë disa gjëra për të ndryshuar në raport me qasjen ndaj elektoratit të tyre. E para PD-ja, një forcë që mëton pushtetin duhet të jetë më e kujdesshme me grumbullimet masive të qytetarëve në kohë pandemie dhe për më tepër kur e di që përballë qytetarëve deri në 25 Prill qëndron një qeveri totalisht e papërgjegjshme për shëndetin dhe që i ka braktisur shqiptarët në mëshirën e një virusi vdekjeprurës që nuk bën dallime.

Ndërsa nga ana tjetër, ajo që pashë në formatin e çeljes së fushatës së Rilindjes më solli ndërmend një gërshetim i kryeveprave të Kadaresë në një pikturë të vetme. Takimi i Pashallarëve të Kuq në sheshin e Vetmisë së Madhe, me kandidatët e Pallatit të Ëndrrave, të cilët dëgjonin fjalimin e Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur që po i udhëheq drejt 25 Prillit të Thyer!.

Sipas jush cilat janë alternativat politike që po u ofrohen qytetarëve në këtë fushatë zgjedhore? Mund të bëni një krahasim mes programit të opozitës dhe mazhorancës në pushtet?

Fjalimet e djeshme nuk ishin antipodet e njëra-tjetrës në mënyrë anakronike. Nga njëra anë qëndronte kryeministri i Shqipërisë që fliste si një lider opozite model, përballë një lideri opozite që iu drejtua qytetarëve si një Kryeministër premtues. Fjalimi i z. Basha pashë që ishte ndërtuar mbi dy pika e cila fillonte me konstatimin e “gjakderdhjes” migratore të shqiptarëve në 8 vitet e fundit dhe u përmbyll me atë që është një nga dështimet pos aspiratat kryesore të qytetarëve shqiptarë, integrimi në BE.

Në këtë pikë, ajo që do të kisha pritur do të kishin qenë afatet kohore për mënyrën se si zoti Basha e ka konceptuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit. E kundërta është vërtet në fjalimin e z. Rama ku fjala integrim nuk është më as në fjalorin e varfër të premtimeve elektorale të tij.

Bëra një kërkim mekanik të fjalës “INTEGRIM” në fjalimin e plotë të z. Rama të shpërndarë nga zyra e shtypit të PS-së dhe më besoni përgjigjja që mora nga kjo punë 30-sekondëshe ishte “This search item is not found!”. Pra, ajo që ishte një nga kuajt e betejës të propagandës së Rilindjes në 8 vite me lumenj shampanje të derdhur në fitoret imagjinare të çeljes së negociatave, tani krejt papritur nuk figuron as si term në vizionin e Edi Ramës për mandatin e 3-të.

Kjo dhe shumë e shumë të tjera justifikon faktin se pse fjalimi i kryeministrit ishte një fjalim dëshpërimi personal dhe jo një kumt premtimesh të cilat ai e di shumë mirë që nuk ia beson njeri. Fjalimi i Edi Ramës në të vetmet momente vërtetësie ishte në fakt reklamimi i premtimeve të opozitës në tentativën e tij për t’i anatemuar ato. Por në fundore ajo që më mbeti në mendje është se e vetmja forcë politike që ka një program në kualitetin PD-PS është vetëm selia blu. Në këmbim Edi Rama ka hequr dorë edhe nga fushata 3D dhe ka përfunduar te modeli “meme”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu