Elbasan-Kandidati i primareve për Elbasanin Blendi Himçi, ka bërë një analizë të detajuar mbi qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar mandatin e tij të tretë si më monstruozin, të mbështetur në korrupsion, kapjen e institucioneve dhe lidhjet me krimin. Sipas Himçit, qeveria ka shkatërruar administratën publike, e ka shndërruar vendin në një narkoshtet dhe ka përdorur pushtetin për të intimiduar qytetarët dhe mediat.
Ai thekson se ndërkombëtarët nuk po e mbështesin më Ramën, ndërsa SPAK po i del nga kontrolli dhe po heton zyrtarë të lartë të qeverisë. Himçi paralajmëron se përplasjet politike dhe faktet që po dalin nga dosjet e korrupsionit kanë tronditur opinionin publik, duke bërë që edhe njerëzit që më parë nuk besonin opozitën, tashmë të shohin me shqetësim realitetin e qeverisjes.
Sipas tij, Rama ka mbetur i izoluar, i mbështetur vetëm nga punonjësit e bashkisë dhe një grusht patronazhistësh, ndërsa deputetët e tij heshtin të frikësuar nga përgjimet dhe hetimet. Kandidati i primareve e mbyll analizën me një mesazh të qartë: shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të jenë spektatorë të fatit të tyre, por duhet të marrin në dorë të ardhmen e vendit.
Postimi i Blendi Himçit
Iluzionet e Ramës dhe ”mbështetja në forcat e veta”
Nuk pati thjeshtë pesë minuta lavdi. Rama po qeveris prej dymbëdhjetë vjetësh si kryeministër. Mandatin e parë me tërsëllima programore dhe “reformash” në ekonomi, shëndetësi, arsim, rishpërndarje të ardhurash etj. Mandatin e dytë me rritje të ardhurash dukshëm përmes rritjes së taksave dhe mosrritjes së pagave dhe pensioneve si edhe me vazhdimin e transformimit të administratës ku veç fryrjes, korrupsionit dhe paaftësisë ajo u njësua me rilindjen duke u kthyer strukturalisht në parti shtet. Mandati i tretë, më monstruozi, që nisi me tallava dhe avancoi e nxorri në shesh gjithë fëlliqësirën qeverisëse të rilindjes mbështetur në kapjen e pushteteve pa përjashtuar drejtësinë dhe mediat, përmes stilit fasadë të qeverisjes dhe intimidimit të qytetarëve i mbushi mendjen kryerilindasit se ishte lider botëror. Dhe e besoi për pak. Për sa kohë kishtë miqësinë me Sorosin, me ambasadoren Kim dhe ca të tjerë, për sa kohë ishte ylli që tërhiqte vemendjen në samite i duheshin disa iniciativa rajonale dhe globale (si Ballkani i Hapur, zgjidhja e konfliktit Rusi – Ukrainë, strehime të muxhaedinëve, afganëve, emigrantëve afrikanë) dhe për pak e pa veten Sekretar të Përgjithshëm të NATO-s a ku di unë. Ndërkohë që vendin e tij e ktheu në një kënetë patronazhistësh e kriminelësh, në një narkoshtet dhe lavatriçe pastrimi parash, në një vend ku vetë ai si arkitekt dhe inxhinier zbatimi dizenjoi dhe hodhi në fushën e betejës ushtri grabitësish e zullumqarësh.
Ja që ëndrrat edhe nuk dalin. Sidomos kur i sheh me sy hapur. Sepse të gjithë shërbimet e huaja e kanë cilësuar si narkoshtet. Sepse ngjarjet në SHBA po trondisin botën, Europën e po ndjehen fort edhe në Shqipëri. Sepse ngjashmëria e asaj që ndodhi në SHBA dhe me Trampin me atë të Shqipërisë dhe me Berishën është e pa precedent. Si për ironi, Berisha nga nongrata del miku më i madh i SHBA dhe Rama pret të shpallet nongrata e nën hetim. Kupola Rilindase po shkërmoqet duke shkuar në burg dhe dera shpejt do i trokasë Ramës. Sepse kanë bërë shumë zullume, madje shumë më shumë se sa zullume. Njerëzit që nuk i besonin opozitës po llahtarisen tani që faktet po dalin nga dosjet e pluhurosura.
E keni vënë re? Nuk ka më ambasadorë që të dalin me të e ta mbështesin. Shkon e vjen lart e poshtë pa asnjë axhendë a takim bilateral. Mediat nga mw prestigjozet e dy kontinenteve e përmendin me emër por vetëm për keq. SPAK-u, për të ruajtur veten, tashmë pothuaj i ka dalë nga kontrolli. Edhe pse i dominon akoma, media dhe analistë të caktuar kanë filluar të devijojnë nga rreshtimi ushtarak pro Ramë. Qytetarët flasin me urrejtje për bëmat e qeverisë dhe qeverisjes. Patronazhistët po kalojnë në ilegalitet, po u mbaron karburanti. Zyrtarët më poshtë nuk po pranojnë të firmosin shkresat e padronëve. Deputetet rilindas ku gjysma dalin në përgjimete kriminelëve rrinë si në mort, me kokat ulur dhe pa zë. Administratat në zi. Ma zi nuk ka më. Rezultat i pashmangshëm i filozofisë dhe praktikës qeverisëse të Ramës me krimin dhe përmes krimit, me korrupsionin dhe hordhinë e tij grabitëse, përmes rekrutimit dhe intimidimit, të shqiptarëve dhe të huajve. Po Investimet? Nuk mund të krenohesh më me përdorimin e taksave të gjakut të shqipëtarëve me vjedhje 100%
Tani ka mbetur vetëm. I duhet të shtrëngojë radhët. Me armatën e punonjësve të bashkisë në takime të paligjshme, përmes seancës dëgjimore me grupin parlamentar rilindas në shkelje të rregullores së parlamentit, përmes emisionit të mëngjesit me shpresën se po i merr audiencën Flavios apo Bashkimit. Vetmia është e keqe dhe duhet luftuar.Xhaxhi Enver së fundmi qeverisi duke u mbështetur në forcat e veta. Kështu ka mbetur Rama, madje pas Benit, edhe tek të vetët nuk ka më besim. Por edhe duhet ti mbaje edhe duhet ti shajë dhe sidoqoftë prapë do ta hajë. Disa fajësojnë KARMËN.
Unë them se jeta është e bukur.
Infoweb Media