Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 1%, megjithëse konfirmoi edhe njëherë projeksionet se inflacioni në të ardhmen e afërt do të qëndrojë në nivele të larta.
Guvernatori, Gent Sejko, tha të mërkurën pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës se inflacioni i lartë ka filluar të pasqyrohet në sinjale të ngadalësimit të rritjes ekonomike.
Sipas tij, në pjesën më të madhe, rritja e inflacionit u shkaktua nga goditjet e ofertës, të ardhura nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës. Megjithatë, paralelisht me to, trendi rritës i inflacionit ka pasqyruar edhe rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike gjatë vitit të shkuar, rritjen e punësimit dhe të pagave, si dhe tendencën në rritje të pritjeve për inflacionin.
Sipas tij, përmirësimi i tregut të punës do të ndihmojë në amortizimin e një pjese të goditjes që vjen nga çmimet e larta, por përkthehet dhe në presione më të qëndrueshme në kohë mbi inflacionin.
“Përditësimi i parashikimeve tona të skenarit bazë sugjeron se inflacioni në vend do të mbetet në nivele relativisht të larta gjatë periudhës në vijim. Çmimet e larta në tregjet botërore, kërkesa e rritur agregate, si dhe dinamikat e tregjeve të punës, pritet ta mbajnë inflacionin pranë niveleve aktuale gjatë vitit 2022. Më tej, ai pritet të vijë në rënie graduale gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024. Përkundrejt kësaj ecurie, ekonomia shqiptare pritet të vijojë rritjen gjatë horizontit afatmesëm. Rritja ekonomike do të vijojë të mbështetet nga kushtet ende të favorshme të financimit, nga bilancet e shëndosha financiare të sektorit real dhe financiar, si dhe nga vijimi i rritjes së eksporteve. Megjithatë, ritmi i rritjes pritet të jetë më i ngadaltë krahasuar me parashikimet e fillimvitit,” tha Sejko.
Mbi këto projeksione, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1% dhe të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe të kredive njëditore, respektivisht në nivelin 0.1% dhe 1.9%.
Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, niveli aktual i stimulit monetar ofron balancën e duhur midis rrezikut të përshpejtimit të inflacionit dhe rrezikut të ngadalësimit të rritjes ekonomike. Megjithatë, Banka e Shqipërisë theksoi sërish se respektimi i objektivit të inflacionit do të kërkojë normalizimin e qëndrimit të politikës monetare në afatin e mesëm, duke nënkuptuar nevojën për rritje të mëtejshme të normës bazë të interesit.
“Në përputhje me parashikimet e skenarit bazë, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se normalizim do të marrë formën e një procesi gradual gjatë dy viteve të ardhshme. Megjithatë, nisur nga nivelet tejet të ulëta të normave të interesit në vend, politika monetare do të vijojë të mbetet në pozita stimuluese gjatë gjithë kësaj periudhe. Në të kundërt, materializimi i skenarëve të rrezikut mund të shkaktojë devijime nga ky skenar. Në çdo rast, qëndrimi i politikës monetare do të udhëhiqet nga informacioni i ri dhe nevoja për respektimin e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve,” u shpreh Guvernatori.
Sipas tij, rritja e normës bazë të interesit gjatë muajit mars ka pasur një transmetim të shpejtë në segmentet afatshkurtra të tregut monetar dhe ka ndihmuar stabilizimin e presioneve mbi kursin e këmbimit. Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se efekti i saj në çmimet e depozitave e të kredive bankare nuk është shfaqur ende i plotë.