“Bukuria e tmerrshme e trurit”, që kaloi nëpër Shqipëri sipas NYT, që synon Nobelin

0

Në kioskat e Nju Jorkut të 3 janarit, pesë vite më parë në numrin special të fillimit të vitit “New York Times Magazine”, kur është audienca më e lartë në faqe të parë foto e Paolo Pellegrinit, të pacientit shqiptar, operuar ne Tiranë, befason me stilin dritë hije të martirëve të Caravaggios.

Artikulli në brendësi, qëndistari i letërsisë me artin e kirurgjisë së trurit, vinte nëpërmjet norvegjezit Karl Ove Knausgaard të “My Struggle”.

Përgatitja e reportazhit kishte përfunduar pas double fact checks (dy herë kontrolle të vërtetësisë së fakteve) me nga 40 minuta bisedë në telefon nga redaksia, në tetor dhe redaktorja Debbie Samuelson me komunikoi botimin në fillim të nëntorit. Më vonë njoftoi se kryeredaktori NYT (New York Times Magazine)e kishte pëlqyer shumë dhe kishte rekomanduar shtyerjen e botimit në numrin e parë të vitit të ri të të përditshmes.

Ndodhi që në atë ditë kur doli në dritë, në 1,5 milion kopje, Kryeministri Rama që udhëtonte në SHBA e lexoi në avion. Emocionet që e kanë pushtuar duke lexuar reportazhin nuk besoj se mund të shprehen në Twitter.

U pasqyrua si lajm i zakonshëm në shtypin shqiptar, të ngarkuar me atmosferën e ndërrimit të viteve. Në mars të po atij viti një student shqiptar në Angli i entuziazmuar me shokët e miqtë, nëpërmjet nënës së tij më dërgon të prerë nga gazeta një reportazh botuar në “The Telegraph” nga K.O Knausgaard me të njëjtin subjekt të kirurgjisë së trurit, në kondita zgjuar në Tiranë. E falenderova, por e pamundur të gjendej pas shumë kohe në letër, lufta titanike me online.

Një ndjekës kosovar, i pasionuar në SHBA bëri të mundur të siguroje dy kopjet letër të gazetës dhe revistës angleze dhe i jam shumë mirënjohës. Komentet e shumta pozitive ishin nga diaspora dhe te huajt në relacion me Shqipërinë. Ndërkohë, Knausgaard zhvendoset në Londër dhe përfundon “My Struggle” duke kaluar nëpër ritualin e oralit të Yale “Why I Write” (Pse Shkruaj).

Fundi i vitit është periudha më e mirë për të zgjedhur librat, kur nuk ke mundësi sidomos në këtë periudhë të vizitosh librari për t’i shfletuar e zbuluar “in loco”.

Është mënyra më e mirë, që eksiton zonën e leximit në udhëkryqin e pjesës së poshtme të lobit temporal, ku takohet me lobin oksipital, aty mendohet të jetë qendra e leximit nga koha e shkrimit, kuneiform të tabletave, kur piktogramat që paraqitnin idenë u transformuan në gërma në lartësitë e Sirisë Aristokracia e trurit do të quhej kjo qendër i frymëzuar shumë nga leximi veprës së tij “My Struggle” mbi katër mijë faqe, por Bukuria e tmerrshme në Tiranë ngjan me dashurinë e shkrimit të letrave të Herman Melville për Nathanael Haëthorn, “letër pa fund më duhet për të hedhur miliarda mendime që më lindin”.

Në sallën e operacionit fillimisht vështrimi i trurit nëpërmjet lupave të mikroskopit në sytë e një nordiku shprehte konceptin ftohës, që luan truri ndaj pasioneve të zemrës, por impresionimi i Knausgaard nuk mundi të zotërojë emocionet kur u gjend përpara këtij “ajsbergu”. Në largim nga Shqipëria, pas një jave diskutimesh nga më të ndryshmet me të, Knausgaard më sugjeroi leximin e Ditareve të Witold Gombrowitz, sikur kish hyrë në mendje në “kafazin e zogjve” të Nietzsche.

Esetë e fundit të përmbledhura të Knausgaard dalin nën titullin “Në tokën e Cikllopeve”, nga të cilat më parë kam lexuar vetëm dy mbresëlënëse mbi kryevepra të letërsisë franceze, jam në pritje të Amazon për vazhdimin.

Duke ju kërkuar ndjesë, por koicidencat në përvjetor të botimit me kritikën e mëposhtme u shtynë të jem kronofag për ju në kohë pushimesh. Marrë nga books briefings e NYT 28 dhjetor, konsultuar me kolegun Florian Dashi me të cilin kemi përkthyer “Mos bëj Dëm” dhe “Rrefimet” të Henry Marsh jemi përpjekur të sjellim në vëmendje kritikën e Dwight Garner për dimensionin e Knausgaard.

Esetë e Karl Ove Knausgaard në luftë me idetë e mëdha

Në listën e këngëve të Randy Newman përfshihet një e mrekullueshme që shijohet siç duhet në albumin e tij të 2011 “Jeta në Londër” e titulluar “Jam i vdekur (por nuk e di këtë)”. Flet për një artist që i sheh veprat më të mira të tij, siç shihen gjërat në pasqyrën e pasme të makinës. “Nuk më ka mbetur gjë për të thënë, fillon Newman, por do ta them gjithsesi”. Të shkojnë rrëqethje, kur audienca, si kori në teatrin grek, fillon të këndojë himnin përgjatë melodisë, “ai është i vdekur/ai është i vdekur”. Kënga e arrirë dhe humori i zi nuk lënë shteg të mendosh se Newman ka hedhur qoftë edhe një hap të gabuar.

Kënga e Newman më erdhi ndërmend teksa lexoja “Në tokën e ciklopeve” përmbledhja e re e eseve të Karl Ove Knausgaard. Knausgaard është siç e dini, shkrimtari norvegjez, i cili një dekadë më parë zbrazi barkun me gjashtë novela të majme autobiografike seria “My Struggle” që janë me të drejtë ndër piketat letrare të epokës sonë, ajo si të thuash është një tryezë feste që shtrohet e rishtrohet.

Knausgaardi është relativisht i ri (52) dhe pavarësisht duhanit, që pi prej shumë vitesh në fotografi shfaqet shpesh tek tymos gjakftohtë, lind si dyshim dhe shpresë, që ai të arrijë moshën e tretë. Ai ka shumë mundësi, rreth 2045 të fitojë Çmimin Nobel. Ndonjëherë duket ndjesë për këtë, pak si “postum” në kuptimin se kultura e sotme nuk do të ketë më një vend për të tjerë siç e bëri për të.

A është prodhimtaria letrare me tepri një fyerje ndaj shoqërisë? George Eliot mendonte kështu. Karriera e E.M.Fosterit i bëri njerëzit, sipas Antony Burgess, të mendojnë se është vulgare të shkruash më shumë se 5 apo 6 novela. Ç’të bëjë tani një talent si Knausgaardi?

“Në tokën e Cikllopeve” i shkon për shtat. Këto ese të shkurta, të sinqerta, gjithë mund, disa për artistë e fotografë që i admiron (Franceska Woodman, Thomas Wagstrom, Cindy Sherman, Anselm Kiefer) janë ripunuar nga kategoritë e ekspozitave. Gjen aty një parathënie të Madame Bovary, një ese mbi prozen e Ingmar Bergmanit dhe një vlerësim të novelave të Michel Houellbeck.

Esetë e shkruara e Knausgaardit i ngjajnë më shumë leksionit se kritikës. Ato janë “shumë vaj pak uthull dhe më sjellin ndërmend pakënaqësinë e Henrit, personazhit të John Berryman në “Kënga e Endrrës 170”.

“Nuk mundem më të lexoj këtë prozë të pasur kritike,

hungëriu gazëroi, u kruajt dhe la pas aromeën”.

Në letërsinë artistike, dhuntia e Knausgaardit është t’i shkojë deri në fund aspekteve modeste të jetës, duke i veshur ato me një domethenie që askush nuk mendonte se i kishin. Idetë ziejnë në novelat e tij, por shpërthejnë në mënyrë organike, ato janë spërkatje nuk janë valë.

Kur shpërthen siç ndodh në librin e fundit të “My Struggle”, ku ai ndeshet në mënyrë epike me ç’kishte lënë Hitleri në librin ‘Lufta ime’, rrotat e tij sikur nuk tërheqin më. Në atë libër si dhe në këto ese, Knausgaardi(siç thotë R.E.M në këngën e tij) ka thënë shumë por jo mjaftueshëm.

Një gjë që të pëlqen në këtë libër, përkthyesi kryesor i tij nga norvegjishtja, Martin Aitkinen është se si Knausgaardi e paraqet botën e kulturës dhe na lejon ta shohim nga optika nordike. Ai përfshin aty përrallat popullore të veriut, sagat, poemat. Gjen aty një mburojë të letërsisë së Knut Hamsunite. Knausgaard na kujton skenën e famshme të vdekjes në novelën e Hamsun’it “Wayfarers”, në të cilën një njeri nëpërkëmbet deri në vdekje nga një tufë dhensh.

Knausgaard shpesh bluan konceptin e seriozitetit në art. Si shumë nga ne, pëlqen Netflixin dhe si motrat e tij. Por, shkruan ai, ideja se dramat e reja televizive që gjithësecili sheh e diskuton në ditët e sotme, se mos ato janë një lloj novelë e re, që shpesh e dëgjoj të thuhet, kjo më duket një idiotësi.

Për filmin e Christofer Nolan “Inception” ai shkruan “është një përmbledhje e dashur, jo dhuratë”(Ka qënë një vit i vështirë për Nolan në librat. Në novelën antike të regjizorit Charlie Kaufman një personazh thotë “Starbucks është kafeja e zgjuar për memecët. Eshtë Christofor Nolen i kafesë”.

Disa ese janë më personale. Në njërën e shkruar në formë ditari, ai pranon me një ftohtësi të lindur, se është i ashpër me veten. “Intimitetit”, shkruan ai “nuk i bëj dot ballë”. Ai flet për stilin e tij të rezervuar prindëror të krahasuar me atë të bashkëshortes. Afërsia ka një çmim, distanca gjithashtu atëherë kë zgjedh ti?

Titulli i këtij libri me ese, që u shfaq për herë të parë në gazetën suedeze Dagens Nyhetër në 2015 tërheq më shumë vëmendjen. Ai u shkrua pasi Knausgaardin një kritik e quajti pedofil letrar dhe një tjetër e krahasoi me Anders Behring Breivik, pasi u vu re se novela e tij e parë fliste për një mësues 26 vjeçar, i cili dashurohet dhe flinte me një nxënëse 13 vjeçare. Në vëllimin e katër të “My Struggle” tregimtari 18 vjecar përshkruan dëshirat e tij transgresive për Andrean, nxënësin 13 vjeçar.

Knausgaardi është në kundërshtim me të gjithë ata që mendojnë se letërsia duhet të paraqesë veç veprat dhe ndjenjat fisnike e jo fyesit profesionistë, keqpërdoruesit e ambiguitetit. Asnjë i ditur mëndjehollë, thote ai, nuk beson se ai i del në mbrojtje pedofilisë.

Çfarë i ndodh një shoqërie, pyet ai, kur resht së referuari asaj që tashmë e di se ku egziston dhe mohon pranimin e të vërtetave. Ai sugjeron se sot ka shumë gazeta liberale që janë “armiqësore” me letërsinë, pasi morali aty qëndron mbi letërsinë kurse ideologjia mbi moralin. Ai shton: Kurrë nuk e shihni një shkrimtar të rrezikojë përballë publikut.

Ai ka të drejtë kur thotë, se po jetojmë në një epokë në të cilën letërsia, për shkak se është bërë një strofull e pacensuruar e mendimeve dhe ndjenjave të çdo lloji, është më e rëndësishme se kurrë.

Në këtë koleksion do të gjeni diku edhe shkrimtarin që me shumë mund ja del të bëjë diçka që të tjerë do ta kishin bërë më mirë.

***Shpresoj që leximi në shoqërinë tonë të rritet drejt mesatares europiane 12 libra në vit për individ.

(P.s Gjatë vizitës në shtëpi në Tiranë, Knausgaardit i mbetën sytë në një karficë toge romake, gjetur në Orikum, relikë mbase e ndonjë legjionari, pas betejës së Çezarit me Pompeun. Ja dhurova me kënaqësi, duke më falenderuar u shpreh “do ta ruaj si talisman në tryezën ku shkruaj”)

”Mos Bej Dem” Henry Marsh

”Rrefimet”Henry Marsh

perkthyer Mentor Petrela e Florian Dashi botimet Minerva Onufri

”Bukuria e tmerrshme” në link http://www.nytimes.com/2016/01/03/magazine/karl-ove-knausgaard-on-the-terrible-beauty-of-brain-surgery.html?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu