Çfarë mësuam nga Spy Story në Uzinën e Gramshit?

0

Nga Anisa Bahiti

Ngjarja me 2-3 rusë apo ruso-ukrainas të ndaluar në Uzinën e Armatimeve të Gramshit, ishte sa e çuditshme aq edhe interesante. Ajo ngjarje pa dashje na hapi një front të ri të këndvështrimit të gjërave. Papritur kjo ngjarje i kujtoi publikut një gjë të thjeshtë; Europa është në luftë, ne jemi në luftë dhe luftën mund ta kemi tek dera e shtëpisë!
Ndonëse sjellja jonë me këtë fakt është si tek ai filmi i Hollivudit me Leonardo Di Caprio me titullin Don’t look Up, ku njerëzit vazhdonin jetën normale pa e vrarë mendjen se një meteorit po vinte drejt Tokës për ta shkatërruar, sërish kjo ngjarje na zbuloi disa të vërteta të dhimbshme.
E para, mjaftojnë tre civilë me spray neutralizues nervash për të na plagosur 2 roje të një vendi të NATO-s.
E dyta depot dhe uzinat tona janë në pikë të hallit, mjafton një blogere ruse për të na nxjerrë bojën.
E treta pavarësisht se prej tre ditëve endeshin nëpër Gramsh 3 shtetas rusë që i rrotulloheshin rreth të vetmes nga 3 fabrikat ushtarake që kemi që akoma prodhon ndonjë gjë , askush qoftë edhe një polic i thjeshtë bashkiak s’ patì kuriozitet të interesohej çfarë janë këta njerëz, qofshin dhe turistë a mos kanë vallë ndonjë nevojë për ndihmë ???
Një nga hackerat rusë në Europë më me emër shëtiste prej ditësh nëpër Shqipëri dhe asnjë sistem sigurie i vendit, nuk kishte vënë sinjal alarmi për këtë njeri, as kur kaluan kufirin, as kur u regjistruan në RBB për të fjetur, as kur postonin nëpër instagram e rrjete sociale nga “Objektet Strategjike’ të Republikës së Shqipërisë. Madje po të mos ishte për një hetim të hollësishëm nëpër rrjet nga ana e Infoweb akoma ky hacker me emër të madh në ushtrinë hackerave rusë do ishte thjesht një turist rus i dyshuar për spiunazh.
E katërta, po sikur këta të ishin një njësi speciale e vërtetë e Shërbimit sekret rus e të donin të hakmerreshin për vdekjen e atyre 4 rusëve në Qerret tetorin e shkuar e të donin të hidhnin në erë hidrocentralin e Banjës në Gramsh, duke përmbytur gjithë Shqipërinë, kur do e merrnim vesh ???
E pesta, pas atij skandali të madh me të dhënat personale në Shqipëri dhe pas faktit që u bë 3 muaj që e-Albania nuk funksionon, a ka shkuar ndonjëri në burg qoftë edhe për një sens dinjiteti ndaj shtetit tënd, në mënyrë që sot dhe rusët e dyshuar për spiunë të kuptonin se para se të vinin për punët e tyre në Shqipëri, të mos mendonin se ky vend nuk është han pa porta?!
E gjashta forcat politike në vend, sidomos ato parlamentare, kaq të pavend e panë të prishnin një ditë pushimet e të shkonin në Komisionin e Sigurisë të Parlamentit e të sqaronin qytetarët e tyre të cilët i kanë votuar, se ky vend ka zot?!
E shtata, media e sheh këtë ngjarje si ato kronikat rozë të verës me “blogere” instagrami, jemi në luftë të dashur kolege, në luftë reale,duhet seriozitet.
E teta, kjo ngjarje na mësoi se ne që destabilizohemi nga 3 civilë me spray kundra syve, po në një rast lufte të vërtetë ku do futemi ???
E nënta, na mësoi dhe një tjetër të rëndësishme se në këtë vend realisht nuk e vret mendjen për një gjë të tillë të rëndësishme dhe jemi në duart e zotit.
E fundit, por jo nga rendesia, ka ardhur koha që dikush ta marrë seriozisht çështjen e forcimit të shtetit, nuk mjafton parulla ‘Shqipëri mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë.’

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu