Çmimi i energjisë “zhyt” ujësjellësit

0

TIRANË- Pavarësisht përpjekjeve për të përmirësuat treguesit e tyre financiare shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve nuk janë kanë dalë ta bëjnë këtë plotësisht as në vitin 2022 dhe shkak është bërë çmimi i energjisë. Raporti i Entit Rregullator të Ujit për vitin e shkuar nënvizon se thuajse të gjithë treguesit që lidhen me performancën kanë shënuar përmirësim por kostoja për operimin dhe mirëmbajtjen nuk është mbuluar plotësisht nga shumica e ujësjellësve.

“Mbulimi i Kostos së Operimit dhe Mirëmbajtjes për vitin 2022, ka rënë ndjeshëm nga 103.4% në 90.5%, kjo për shkak të krizës energjetike dhe të rritjes së çmimeve në përgjithësi. Gjatë vitit 2022, nga 58 shoqëri që operojnë në sektor, vetëm 13 prej tyre arrijnë të mbulojnë mbi 100% kostot O&M nga 12 që ishin në vitin 2021. Veçanërisht 26 shoqëri performojnë dobët nën nivelin 70% të këtij treguesi” vlerëson Enti Rregullator i Ujit.

Enti nënvizon se një tjetër tregues siç është “Uji Pa të Ardhura” për vitin 2022 është përmirësuar me rreth 1.4% krahasuar me një vit më parë. Përmirësimi i këtij treguesi sipas raportit ka ardhur kryesisht si rezultat i rritjes së volumit të ujit të faturuar me 2.7 milion m3 , si dhe uljes së volumit të prodhuar me 11.3 milion m3.

“Ndikim kryesor kanë dhënë shoqëritë UK Tiranë dhe UK Kavajë me një rritje të volumit të ujit të faturuar me rreth 2 milion m3 . Ulje të sasisë së ujit të prodhuar janë shënuar për shoqëritë UK Tiranë, Berat – Kuçovë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Mallakastër. Gjithsesi, për vitin 2022 edhe pse i përmirësuar, ky tregues mbetet përsëri në nivele të larta, 63.4%” thuhet në raportin e ERRU.

I njëjti raport vlerëson se Norma e Arkëtimit Korrente, e cila përfaqëson arkëtimet e kryera nga shoqëria brenda vitit pa përfshirë debitë e vjetra, për vitin 2022 rezulton të jetë përmirësuar në 78.6% nga 77.6% që ishte në vitin 2021. Performancë të mirë kanë realizuar shoqëritë UK Librazhd, Tepelenë, Dibër, Fushë Arrëz, Delvinë, Dropull, Ersekë, Has, Durrës, Vlorë dhe Tiranë. Nga ana tjetër “Niveli i Matjes” është në nivelin 82,8% duke u përmirësuar me 2.1% krahasuar me vitin 2021.

“Kohëzgjatja e Furnizimit me Ujë” e cila shpreh mesataren e orëve të furnizimit me ujë në ditë, për vitin 2022 është në nivelin e 16.3 orë/ditë me një përmirësim prej rreth 1 orë krahasuar me vitin 2021.

Duke analizuar të gjithë treguesit dhe problemin kryesor që është kostoja e energjisë Enti ka propozuar në raportin e tij që shoqëritë të shohin me prioritet planet e eficiencës.

“Për përmirësimin e performancës financiare të shoqërive, vëmendje e veçantë duhet ti kushtohet dhe të merren masa për rritjen e Efiçencës së Energjisë dhe burimeve alternative të rinovueshme, si sfida kryesore për sektorin UK edhe për vitin në vijim” nënvizon ERRU.

Kriza e energjisë krijoi një ngërç të madh me bizneset në treg të lirë dhe pjesë e këtij grupi janë edhe shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve. Enti vlerëson se çmimi i energjisë elektrike për sektorin e UK nga 11,5 lek/kwh, u rrit në 18,8 lek/kwh, një rritje prej 65% të këtij çmimi, dhe një rritje të kostove të energjisë elektrike në rang sektori me rreth 38%.

Marrë nga Monitor.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu