“Dalin pa mëngjes nga shtëpia”- fëmijët shqiptarë rrezikohen nga sëmundjet e rënda

0

Shumë nga fëmijët shqiptarë nuk marrin ushqim me vete në shkollë. Të dhënat e fundit të Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se nga 7578 fëmijë të moshës 6-15 vjeç, një pjesë e vogël marrin ushqim me vete në shkollë. Të dhënat e marra nga 32 shkolla të vendit dhe 12 qarqe tregojnë se më shumë se gjysma e fëmijëve (58%) marrin pará me vete në shkollë, për blerjen e ushqimeve çdo ditë ose pothuajse çdo ditë.
Në raport shkruhet se është konfirmuar, edhe një herë tendenca e fëmijëve shqiptare lidhur anashkalimin e vakteve, sidomos mëngjesin, më i ulët ky mes fëmijëve obezë.

Nutricionistja Diola Dosti shpjegon për Gazetasi.al se është tepër e nevojshme që të marrin masa jo vetëm drejtoritë arsimore por edhe bashkitë. Sipas saj, duhet të bëhen trajnime ndërgjegjësuese për këta fëmijë sepse në të ardhmen do shndërrohen në fëmijë të keq ushqyer.

“Në të ardhmen fëmijët e kequshqyer bëhen pacientë të shumë reparteve si kardiologjia, nefrologjia apo onkologjia, pasi afro 95% e sëmundjeve kronike bazën e kanë tek kequshqyerja. Ka mekanizma pa dyshim. Thjesht askush nuk po i merr seriozisht”, shpjegon Dosti për Gazetasi.al.

Gjatë vitit të shkuar, Ministria e Arsimit në bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë, vendosi një rregullore për ndalimin e shitjes së produkteve të papërshtatshme për fëmijë. Gjithashtu, në këtë rregull kishte një listë me produktet ‘e ndaluara’.
“Kërkesat dhe rregullat do të zbatohen në çdo rast të ofrimit të ushqimit në institucionet arsimore, pavarësisht frekuencës dhe masës së ushqimit të ofruar ose mënyrës së realizimit, nëse përgatitet në mensën e institucionit arsimor para universitar. Përgjegjës për zbatimin e këtyre rregullave është institucioni arsimor që duhet të monitorojë standardet e ushqimit në mjediset e shkollave”, thuhej në rregulloren e shkruar.

Ndërkaq, të dhënat tregojnë se fëmijët janë të prirur drejt konsumin jo të duhur të ushqimeve të shëndetshme si frutat, perimet dhe mishi, dhe konsumin e lartë të ushqimeve me cilësi të dobët.
Sipas raportit rreth 10% e fëmijëve hanë ushqim të blerë nga një dyqan ose shitës ambulant në shkollë, nga ana tjetër 7% hanë ushqime që kanë sjellë nga shtëpia.

Dosti shpjegon se gjithçka nis me ndërgjegjësimin. Nutricionistja shton se nëse ju tregohen pasojat e konsumimit të keq fëmijëve dhe prindërve, ndryshohet dhe mënyra e ushqyerjes. Kjo gjë është konfirmuar nga qytetarët në një sondazh të Bashkisë së Tiranës, për fushatën “Bukë me vete”. Pjesa me e madhe e qytetarëve të pyetur (70%) mendojnë se duhet të ketë më shumë takime informuese me fëmijët.

Sipas saj duhet që të ketë një fazë trajnimi për mësuesit dhe prindërit, mbi pasojat e ushqimit jo të shëndetshëm.
“Edukimi nga prindërit tek fëmijët po dështon se prindërit nuk janë të bindur. Unë sugjeroj që edukimi të fillojë tek prindërit. Kur fëmijët mësohen për pasojat, kur kanë shembuj të ushqimeve të shëndetshme, e kanë më të lehtë të ndryshojnë”, shton Dosti.
Nuticrionistja shprehet se gjithashtu ka aplikacione të shumta, ku mund të merren receta të ndryshme si shembull, se çfarë duhet të konsumohet në shkollë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu