Ilir Kulla: Është darkë shqiptarësh e duhet të ketë më shumë darka dhe dreka të tilla me të gjithë faktorët politikë dhe institucionalë. Nuk është darka e fundit e Krishtit ku secili mundohet të shohë se cili prej tyre është Juda Iskarioti.
Mentor Nazarko: Ishte një takim që në një kuptim konfirmon faktin që Edi Rama ka reputacion në hapësirën shqiptare, me pak fjalë një reputacion të konsoliduar, për shkak të qëndrimit të tij të gjatë në pushtet , si dhe për shkak të mënyrës se si e ka interpretuar ai rolin e Shqipërisë dhe rolin e tij personal në skenën ndërkombëtare
Shkruan: Enis Shaqiri
Si para gjashtë viteve ashtu edhe të martën mbrëma, takimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama me krerët e partive politike shqiptare nga Maqedoninë e Veriut, bëri shumë bujë, duke shkaktuar polemika të shumta në opinionin.
Analistë nga Shqipëria e kanë vlerësuar si një takim normal dhe të domosdoshëm për të komunikuar. Sipas tyre, ishte një takim vëllazëror që ndodhi në një kohë, kur Shqipëria ka autoritet ndërkombëtar shumë më të fuqishëm se në vitin 2017.
Ilir Kulla : Ishte darkë mes shqiptarëve
Analisti politik nga Shqipëria, Ilir Kulla në një prononcim për KDPolitik thekson se darkat e tilla duhet që të shpeshtohen, duke shtuar se darka e së martës mbrëma nuk ishte darka e fundit e Krishtit.
“Është darkë shqiptarësh e duhet të ketë më shumë darka dhe dreka të tilla me të gjithë faktorët politikë dhe institucionalë. Nuk është darka e fundit e Krishtit ku secili mundohet të shohë se cili prej tyre është Juda Iskarioti (tradhëtari). Gëzuar , ” thotë Kulla.
Në bazë të postimeve në rrjetet sociale si dhe nga deklaratat e dhëna, të ftuarit së bashku me nikoqirin e këtij takimi, tryezën e përbashkët e cilësuan si darkë relaksuese, në frymë pozitive dhe vëllazërore për fillimin e vitit të ri.
Siç bëhet e ditur pjesë e diskutimit të këtij takimi ka qenë edhe agjenda e përbashkët e të dyja vendeve në rrugëtimin drejt BE-së, me theks të veçantë ndryshimet kushtetuese, të cilat Shkupi zyrtar duhet që t`i kryejë në një afat sa më të shkurtër për të zbatuar marrëveshjen me Bullgarinë,
Mentor Nazarko : Takimi i së martës në kohë të duhur
Analisti Mentor Nazarko, për KDP, thekson se takimi i së martës mbrëma në Tiranë ndodhi në një kohë kur Shqipëria gëzon imunitet më të fuqishëm ndërkombëtar nga ai i vitit 2017. Ai thotë se takimi u zhvillua në diskrecion të plotë me vullnetin për të mos lënduar palën maqedonase, apo ndjeshmëritë e faktorit politik maqedonas.
“Ishte një takim në kohën e duhur, i ndodhur në rrethana të tjera nga ato të takimit të parë, para gjashtë viteve në Tiranë, takim i cili atëbotë u kundërshtua nga partia në pushtet VMRO-DPMNE, me në krye kryeministrin në largim Nikolla Gruevski, si dhe presidentin Gjorgji Ivanov, pra ishte një takim i cili me siguri kishte kërkesën apo ndryshe thënë mbështetjen e partisë tjetër maqedonase në pushtet LSDM. Pavarësisht kësaj, mendoj që takimi u zhvillua në diskrecion të plotë me vullnetin për të mos lënduar palën maqedonase, apo ndjeshmëritë e faktorit politik maqedonas. Me pak fjalë ndodhi në një kohë, kur Shqipëria ka autoritet ndërkombëtar shumë më të fuqishëm se në vitin 2017, si anëtare e këshillit të sigurisë, si vend që çeli negociatat me Bashkimin Evropian, apo edhe që kryeson me disa inicativa rajonale, që organizon sukseshëm edhe takime ndërkombëtare”, thotë për KDP, Mentor Nazarko.
Nazarko mes tjerash thotë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet që të kenë një aleancë që do t`u mbijetonin të gjitha sfidave.
“Pra në këtë kuptim ishte një takim i dëshiruar. Imagjinohet se takimi ka pasur sukses në arritjen e objektivave, dhe kësisoj duhet që të kemi një forcim të stabilitetit të Maqedonisë së Veriut, vend ky fqinjë me Shqipërinë, që bashkohet edhe nga pozita gjeografike, edhe me ekzistencën e popullit shqiptar atje, ku mes tjerash na bashkojnë edhe objektivat strategjike, si dhe interesat reciproke kombëtare të cilat nënkuptojnë që Shqipëria me Maqedoninë e Veriut të kenë një aleancë që do t`i mbijetojnë të gjitha sfidave. Ishte një takim që në një kuptim konfirmon faktin që Edi Rama ka reputacion në hapësirën shqiptare, me pak fjalë një reputacion të konsoliduar, për shkak të qëndrimit të tij të gjatë në pushtet , si dhe për shkak të mënyrës se si e ka interpretuar ai rolin e Shqipërisë dhe rolin e tij personal në skenën ndërkombëtare”, thotë ai.
Sipas tij, Aleanca për Shqiptarët me në krye Arben Taravarin do të kontribuojë cilësisht në ndryshimet kushtetuese, dhe se dy vendet sipas Nazarkos do të fillojnë një faqe te re marrëdhëniesh që nënkupton Traktat miqësie, me zotime reciproke për projekte si Korridori tetë, Porti i Vlorës
“Dua te besoj se faktori shqiptar, duke veçuar këtu, Aleancën për Shqiptarët, udhëhequr tashmë nga një politikan i urtë si dr.Arben Taravari, që ka modifikuar ndjeshëm, pa konfliktualitet kursin e vet në ekuilibër të plotë midis Shqipërisë amë dhe Kosovës, do të kontribuojë cilësisht në ndryshimet kushtetuese. Si? Jo blanko, por duke iniciuar një proces shndërrimesh kushtetuese, që mundësojnë decentralizimin fiskal, dmth barazinë në shpërndarjen e fondeve buxhetore për komunat shqiptare, duke rritur barazinë mes popujve shumicë në Maqedoni. Nga ana tjetër, besoj fuqimisht se dy vendet do të fillojnë një faqe te rë marrëdheniesh që nënkupton Traktat miqësie, me zotime reciproke për projekte si Korridori tetë, Porti i Vlorës, etj. Shqipëria mund të luajë pozitivisht me një qasje të re strategjike në një rajon ku shqiptarët janë përcaktues, duke nxitur dinamika të reja integruese, Lëvizjeve dhe aleancave të reja qytetare, mbietnike apo multietnike, etj. Koha punon për shqiptarët, por jo shqiptarët e përçarë dhe destruktivë, por ata të bashkuar dhe konstruktivë në vendet respektive,” ka shtuar Nazarko
Kujtojmë, se nga VMRO-DPMNE edhe sot kanë reaguar për takimin në fjalë.
Sipas tyre takimi në Tiranë ka ardhur me vetë kërkesën e kryeministrit Dimitar Kovaçevski.
“Heshtja e plotë nga ana e LSDM-së për takimin në Tiranë është vetëm një tjetër dëshmi se ky takim është me kërkesë të Kovaçevskit për të shpëtuar karrierën e tij. Ky takim është pikërisht me kërkesën e Dimitar Kovaçevskit për të marrë ndihmë për vazhdimin e mandatit dhe në këmbim të realizimit të agjendave të tjera në dëm të Maqedonisë. Paniku dhe frika e LSDM-së dhe BDI-së për mbijetesën e pushtetit të tyre është evident, sepse po e humbasin me shpejtësi besimin e qytetarëve, prandaj u duhej ky takim”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Ata mes tjerash thanë se Kovaçevski duhet të sqarohet para popullit, se çfarë detyrash ka marrë nga Ali Ahmeti.
Ndërsa kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke mos i`u përgjigjur akuzave të opozitës, sot u shpreh se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është një personalitet me orientim euroatlantik dhe mik i Maqedonisë së Veriut.
“Porositë që dolën pas takimit në Tiranë janë pikërisht në drejtim të zhvillimit të integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë me të cilën mos harrojmë se bashkë i nisëm negociatat ditën e njëjtë”.