Del emri. Ja kush ishte objektivi i atentatit në Elbasan. Policia shoqëron 10 persona

0

Një atentat me armë zjarri ka ndodhur rreth mesditës në lagjen “Emin Matraxhiu”, pranë stadiumit Elbasan Arena në Elbasan. Objektiv i këtij atentati ka qenë shtetasi i identifikuar si Ervis Çausholli.
Sipas policisë përplasja ka ndodhur pas një sherri. Pas kësaj, si objektivi i këtij atentati, ashtu edhe autorët janë zhdukur në drejtim të paditur dhe po punohet për kapjen e tyre.
Çausholli ka qenë brenda mjetit tip “Mazda” në lëvizje kur është qëlluar dhe ka marrë vetëm një plumb në dorë.

Burime policore bëjnë me dije se, drejtuesi i mjetit braktisi makinën fill pas të shtënave, ndërsa nuk ka njoftim për persona të plagosur nga spitali i Elbasanit.

Çausholli, i njohur ndryshe edhe si “korçari” është një emër mjaft i njohur për policinë në Elbasan, pasi rezulton të jetë i përfshirë në disa ngjarje të tjera kriminale në qytet.
Ky i fundit u padit në shkurt të këtij viti nga një qytetar për dhunë pasi e ndaloi me makinë duke tentuar ta nxjerrë prej saj, ndërkohë që e goditi edhe me grushte.

Ngjarja ndodhi në mes të qytetit të Elbasanit dhe u kap nga disa kamera sigurie. Më pas, personi i dhunuar shkoi në polici për të bërë denoncimin. Pas denoncimit, ai deklaroi për mediat se ishte kërcënuar nga një tjetër person, i afërt i Çaushollit për ta tërhequr ç’ka kishte thënë para oficerëve të Policisë Gjyqësore.

Policia ka shoqëruar dhjetë dëshmitarë okularë të atentatit të dështuar në zonën e stadiumit në Elbasan, të cilët kanë qenë aty kur u qëllua me pistoletë ndaj një makine në lëvizje.
Çausholli ishte shoqëruar disa herë në polici si i dyshuar për disa ngjarje në Elbasan, por më pas ishte liruar duke u gjetur i papërfshirë në to.

Njoftimi i policisë
Rreth orës 11:50 , në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, dyshohet se gjatë një konflikti është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një mjetit. Autori i dyshuar ka braktisur mjetin dhe është larguar. Deri në këto momente nuk ka asnjë njoftim as nga spitali dhe as nga qytetarët për ndonjë person të plagosur.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Shërbimet e Policisë po krehin zonën në të cilën dyshohet se mund të jetë fshehur autori që ka qëlluar me armë zjarri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu