Vitet e fundit vihet re një ulje e ndjeshme e numrit të bagëtive të imëta. Prej disa vitesh blegtorët u përballën me abuzimet dhe çmimet e pa konkurrueshme nga ana e fabrikave të prodhimit të bulmetit, ç’ka bëri që të bjerë interesi për mbarështrimin e blegtorisë. Mungesa e kontrolleve dhe përdorimi i lëndëve të “huaja” për prodhimin e nënprodukteve të bulmetit, dëmtoi jo vetëm konsumatorin, por edhe vetë prodhuesit. Këta të fundit, të gjendur të pa mbrojtur zgjodhën të heqin dorë dhe të shesin tufat e bagëtive duke iu drejtuar emigracionit.
Mjafton të shohësh bjeshkët e pafundme të Dibrës, aty ku pak vite më parë kishte mbi 25 mijë krerë dele, sot nuk ka më shumë se 5 mijë dele. Demir Laçi, një blegtor nga Njësia Administrative Kastriot na tregon se ka qenë pjesë e komisionit për numërimin e bagëtive 10 vite më parë. Ai thotë se kishte mbi 140 mijë krerë, ndërsa sot nuk janë as 1/4. Demir Laçi tregon se ka mbi 300 krerë dele, por është shumë e vështirë për t’i mbajtur.
Dita e një blegtori fillon në orën 04:00 të mëngjesit dhe mbaron pas orës 24:00 të mbrëmjes. Ai tregon vështirësitë dhe shërbimin që kërkojnë delet, ndërsa radhit disa nga shkaqet që kanë çuar në uljen e numrit të bagëtive.
Mungesa e kontrolleve për prodhuesit e mëdhenj, dëmton blegtorët e vegjël, duke ulur cilësinë e produkteve të bulmetit dhe të mishit. Subvencionet janë shumë të ulëta, pasi nuk përballojnë dot as ilaçet.
Mungesa e politikave për të mbrojtur prodhuesit vendas, përballë importuesve dhe prodhuesve të mëdhenj. E nëse autoritetet do të vendosnin të mbështesin fermerët, sërish njerëzit do t’i riktheheshin mbarështrimit të blegtorisë.
Në Dibër mbarështrohet raca më e mirë e deles, delja e Lumës, ose e quajtur delja “Rudë”. Kjo racë është e veçantë pasi i përshtatet klimës shumë të ftohtë që ka Dibra, ka qumësht të trashë dhe më të yndyrshëm, ka mishin shumë të shijshëm dhe leshin shumë të mirë. Prej disa vitesh leshi hidhet dhe nuk e grumbullon më njeri. Kjo racë deleje po shkon gjithnjë e më shumë në rënie.
Nderim Cibaku ka ngritur baxhon e tij në Gramë, 1900 m mbi nivelin e detit, në bjeshkët e Korabit. Ai tregon se numri i deleve vjen çdo vit në rënie. Nderimi tregon se bulmeti i deles Rudë dhe kullota plot lule dhe me ujë të bollshëm janë të pa konkurrueshme. Ai prodhon disa lloje djathi dhe tregun e ka të sigurt, ndonëse kërkon më shumë kontroll nga autoritetet, me qëllim që të mos abuzohet në treg me emrat e prodhuesve dibranë.