Dëshmia në Hagë/Haradinaj fajëson gazetarët, tregon shqiptarët që kryen krime lufte

0

Ish-nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë në seancën e sotme në Hagë se informacionet që përmbanin dosjet, të cilat u lanë para derës së organizatës, ishin gjëra që diheshin më parë.

Në pyetjet e drejtuara nga mbrojtja, Haradinaj ka thënë se kishte lajmëruar mediat për dokumentet kur erdhën, dhe sipas tij, në to ishin gjërat që ishin folur para dy muajsh dhe dukej si një draft-akuzë ndaj Hashim Thaçit. Ai ka treguar se në dosje kishte parë emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit dhe se nuk ka parë të përmendur asnjë emër tjetër. Ai ka thënë se të tjerë njerëz futnin emra të tjerë nga ata që ishin në dokumente, por këmbënguli se OVL-ja nuk kishte dhënë emra tjerë. Këtu përfshiu gazetarë e media, për të cilat tha se kanë dhënë mendimin e vet për të bërë lajm, jo të bazuar nga informacionet e sakta që jepeshin nga OVL-ja. Haradinaj ka thënë se dosjet u janë dorëzuar mediave për ta hequr barrën nga organizata, por gazetarët i kanë manipuluar faktet dhe kanë vepruar me to sipas interesit të tyre.

“Jo, ata emra që kanë qenë të shkruar, nuk kam mundur të cekë të tjerë emra. Ka pasur emra të fshatrave, si Radoniqi e të tjerë, ato që kanë qenë të cekura. Informacioni ka qenë jo vetëm kombëtar por ndërkombëtar, sepse ka qenë atë ditë presidenti që është kthyer nga Amerika. Nuk ka qenë asgjë e fshehtë, asnjë gjë, është diskutuar dy muaj kjo çështje. Bile njerëzit futshin emra të tjerë, që nuk i kam parë aty, secili gazetar dilte me mendimin e vet me bë lajm, kinse po di diçka. Është kulturë e disa mediave të pakontrolluara në Kosovë, me bë lajm, sidomos portalet, por edhe gazetarë që paguhen që e dinë vetë kush i paguan. Kemi dashtë ashtu siç kanë qenë me ua dorëzua gazetarëve, qëllimi ynë ka qenë të jemi transparent dhe me e heqë si barrë prej nesh. do ishte shumë më keq sikur t’i mbanim aty dhe të manipulohej me to. Edhe aq sa është manipuluar, është manipuluar nga gazetarët, që nuk është përgjegjësi e jona. Të vetmin gabim nëse e paskemi bërë, është se e kemi marrë prej zyrave tona dhe i kemi dërguar një kat më lartë zyrës sonë. Asgjë tjetër nuk kemi bërë”, tha ai.

Ai ka thënë se mediat kanë marrë shumë dokumente dhe se organizata nuk i ka mbikëqyrur. Ai foli edhe për kontaktin me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Haradinaj tha se ZPS-ja nuk ka qenë fort e interesuar t’i merrte menjëherë dokumentet.

“Kanë marrë shumë. Nuk e kemi këqyrë më. Kanë qenë të shpërndara ato. Nuk kanë qenë fort të interesuar të ngjiten aty lartë. I kam thënë ka gazetarë dhe nëse je interesuar hip dhe merri. Ka thënë bisedojmë ne njëherë dhe pastaj ngadalë është ngjitur, i ka marrë dhe i ka sjellë poshtë. Ka thënë po i marrim dhe e ka marrë një fletë, dhe meqë kemi qenë përballë të ulur e di që ia ka zgjatë kryetarit për ta nënshkruar. Kryetari është invalid dhe distanca ishte e lartë, i thash a bën unë ta marr, e mora dhe e nënshkrova. E ka marrë atë çantë dhe ka dalë. Këto të tretat i kam nënshkruar unë, por në këtë formë i kam nënshkruar. Pastaj nuk e di më a ia ka dorëzuar kryetarit apo çka”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj përmendi gjithashtu gjatë dëshmisë shqiptarët që kanë shërbyer në policinë e Serbisë, të cilët kanë kryer krime në luftën e fundit në Kosovë. Haradinaj tha se Muharrem Ibraj së bashku me babain e tij të cilët vijnë nga fshati Osek Hilë i Gjakovës në uniformën e policisë serbe kishin vrarë fqinjin e tyre shqiptar.

“Krime kanë bërë edhe shqiptarët, sikur është Muharrem Ibra me babën e vëllanë e vet, që me uniforma serbe kane vra kojshinë… Ne jemi për zbulimin e të gjitha krimeve, pa marrë parasysh se kush i ka kryer. Por, jo të ketë diskriminim”, tha ai.

Seanca është ndërprerë dhe do të vazhdojë të mërkurën.

Në vitin 2005, Muharrem Ibraj kishte dëshmuar edhe në Hagë në mbrojtje të Sllobodan Millosheviçit. Ibraj ishte pjesë e policisë serbe dhe tani jeton me një pension në Serbi. Muharem Ibraj ishte emëruar nga kryetari serb i komunës Momçilo Stanojeviç, shef i “sigurisë lokale”. Ish-shefi i “sigurisë lokale” nga zonën e Gjakovës mohoi krimet e kryera kundër civilëve shqiptarë nga forcat serbe duke thënë se nuk kishte asnjë informacion për ndonjë krim të kryer nga ushtria dhe policia serbe kundër civilëve shqiptarë në vitin 1999. Në qershor 1999, kishte ikur nga Kosova bashkë me forcat serbe. Kur u pyet nga një gjyqtar pse nuk e kishte përkrahur UÇK-në, Ibraj u përgjigj se UÇK-ja ishte kundër shtetit. Dëshmia e Muharrem Ibrajt, i cili u akuzua për vrasjen e një shqiptari në fillim të marsit të vitit 1999, u publikua nga radio televizioni shtetëror serb. Ibraj ishte i vetmi shqiptar në një listë prej 18 personash që kërkoheshin nga Interpoli për krime lufte të kryera në Kosovë.

Seanca e fundit në Hagë është mbajtur më 15 dhjetor të vitit të kaluar ku mbrojtja e Nasim Haradinajt në deklaratën hapëse para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë kishte thënë se Haradinaj nuk i ka penguar hetimet dhe as punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Provat të cilat do të paraqiten në emër të Haradinajt do të dëshmojnë që ai nuk ka bërë kërcënime kundër dëshmitarëve të mbrojtur apo viktimave.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu