Autoritetet britanike po vijojnë përpjekjet për të ekstraduar në Mbretërinë e Bashkuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në vrasjen brutale të 32-vjeçarit Hemawand Ali Hussain, e ndodhur në vitin 2019 në qytetin Hartlepool.
32-vjeçari u qëllua për vdekje brenda një banese në rrugën Charterhouse, pranë Oxford Road, më 14 shtator 2019. Ngjarja tronditi opinionin publik në Angli dhe u cilësua nga prokuroria si një “ekzekutim i mirëorganizuar”, i lidhur me veprimtari kriminale.
Të premten, para Gjykatës së Kurorës Teesside u paraqit 40-vjeçari Sajmir Dodoveci, i dyshuar si anëtar i bandës shqiptare përgjegjëse për vrasjen. Ai u ekstradua në Britani nga Belgjika, ku ishte arrestuar pak para Krishtlindjeve.
Gjatë seancës gjyqësore, Dodoveci mohoi akuzat të ngritura ndaj tij duke theksuar se nuk ka qenë ai që e ka kryer vrasjen, mirëpo kjo deklaratë e tij nuk është marrë parasysh nga Gjykata e cila vendosi që ta lërë në paraburgim.
Avokat, Francis FitzGibbon, bëri të ditur se autoritetet britanike kanë nisur procedurat për ekstradimin edhe të dy personave të tjerë të dyshuar, të cilët aktualisht ndodhen në paraburgim në Belgjikë dhe Shqipëri. Bëhet fjalër për Daniel Kadiun, i cili ra në pranga në Belgjikë dy vite më parë, si dhe për Armando Markun, i cili u vetëdorëzua pranë Policisë së Tiranës, në 20 janar të këtij viti.
“Kërkesat për ekstradim janë bërë dhe janë aktualisht në proces,” deklaroi FitzGibbon, duke shtuar se ende nuk ka një afat të saktë se kur ata mund të sillen në Mbretërinë e Bashkuar.
Deri më tani, katër persona janë dënuar me dënime të gjata burgimi, për rolin e tyre në këtë vrasje. Në mars të vitit 2021, Noza Saffari, Qazim Marku dhe Dorian Pirija u dënuan me një total prej 53 vitesh burg.
Ndërsa në maj 2022, Eugert Merizaj, me origjinë shqiptare, u dënua me burgim të përjetshëm, me një minimum prej 32 vitesh që duhet të vuajë para se të ketë të drejtë për lirim me kusht. Ai u shpall fajtor për rolin kyç në vrasje, ndonëse nuk ishte personi që qëlloi drejtpërdrejt viktimën.
Sipas hetimeve, Merizaj ishte pjesë e një grupi të krimit të organizuar që joshi viktimën në një shtëpi të zbrazët, ku ai u qëllua nga afër me një armë gjahu dhe humbi jetën në vend. Të paktën shtatë persona dyshohet se ishin të përfshirë në planifikimin e krimit, ndërsa disa prej tyre kanë qenë për një kohë të gjatë në arrati.
Partnerja e viktimës, Jennifer Buller, gjatë një seance gjyqësore lexoi një deklaratë prekëse, duke përshkruar dhimbjen dhe shkatërrimin që vrasja e partnerit të saj i ka shkaktuar familjes, veçanërisht dy fëmijëve të mitur të çiftit.
Hetimet për këtë çështje mbeten ende të hapura, ndërsa autoritetet britanike theksojnë se do të vazhdojnë ndjekjen penale të të gjithë personave të përfshirë, pavarësisht se ku ndodhen.





