Detajet/ Aksident i rëndë në aksin Peqin-Elbasan, 2 të vdekur 14 të plagosur

0

Elbasan – Një aksident i rëndë me pasojë dy viktima dhe 14 të plagosur ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin kombëtar Peqin-Elbasan, në fshatin Bishqem.

Në aksident janë përfshirë një automjet tip Benz dhe një furgon pasagjerësh, i drejtuar nga shtetasi Anesti Bufi. Përplasja ka qenë tepër e fortë, duke shkaktuar dëme të rënda materiale dhe humbje jetësh.

Fatkeqësisht, dy persona nuk kanë mundur t’i mbijetojnë plagëve dhe kanë ndërruar jetë në vendngjarje. Ndërsa 14 të plagosur, përfshirë drejtuesin e furgonit dhe disa pasagjerë, janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Shërbimet e policisë dhe zjarrfikësve mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe bënë të mundur nxjerrjen e trupave nga automjeti i dëmtuar rëndë.

Grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, ndërsa dyshohet se shpejtësia e lartë dhe kushtet e rrugës mund të kenë qenë faktorët kryesorë të përplasjes fatale.