Deti shkon në Hagë, “topi” në dorën e Metës! Çfarë thotë presidenti

0

Çështja e detit në kufirin Shqipëri-Greqi ka marrë “bekimin” e dy qeverive për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, por tashmë “topi” është në dorën e presidentit Ilir Meta. Kështu u shpreh profesori i të Drejtës Ndërkombëtare Ksenofon Krisafi në ABC News duke deklaruar se tashmë do duhet që presidenti të japë miratimin dhe më pas palët të nënshkruajnë një marrëveshje që do t’i dërgohet gjykatës Ndërkombëtare.

Krisafi theksoi se palët në përballjen përpara drejtësisë së huaj do diskutojnë vetëm për zonën ekonomike ekskluzive, pasi kufijtë detarë janë të përcaktuar që prej vitit 1913. Por pas deklaratës së përbashkët mes kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias, sipas Krisafit mbetet që presidenti të shprehet mbi qëndrimin që do mbajë në lidhje me këtë çështje.

Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e presidencës pas takimit të kreut të shtetit me kryediplomatin grek, Meta nuk e përmendi marrëveshjen e arritur mes palëve sot, ndërsa u shpreh se do të inkurajojë që ajo të trajtohet përmes dialogut dhe respektit, duke synuar një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme. Meta tha se marrëveshja për këtë çështje duhet të jetë në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

“Marrëveshja për këtë çështje të rëndësishme duhet të jetë në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit, me legjislacionin e të dy vendeve dhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, tha presidenti Meta

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu