Dhurimi i pronave, sa tatim paguajnë shqiptarët? Ligji i ri përcakton kategoritë që përjashtohen

0

Trashëgimia apo dhurimi i pronave nga qytetarët shqiptar nga një familjar tek tjetri, kanë bërë që të ardhurat në buxhetin e shtetit nga tatimi i paguar të dyfishohen. Referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në vitin 2023, janë paguar 84.4 milionë lekë në formën e tatimit nga ata individë që kanë bërë dhurime apo kanë lënë trashëgimi, me një rritje prej +116.6 për qind.

Vlera tatimore e paguar gjatë vitit të kaluar, ka qenë në bazë të ligjit të vjetër të tatimit mbi të ardhurat, sipas të cilit përjashtonin nga tatimi dhurimet brenda trungut familjar. Konkretisht, sipas ligjit, të ardhurat e përfituara nga kalimi i së drejtës së pronësisë për banesën dhe/ose truallin, brenda lidhjes gjinore në familje, bashkëshort, bashkëshorte, fëmijë, vetëm një herë ndaj një përfituesi, nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria nuk tatohen. Ndërsa në rastet e tjera norma tatimore e aplikuar është 15 për qind.

Ndërsa ligj i ri për tatimin mbi të ardhurat, i cili ka hyrë në fuqi në Janar të 2024, përcakton se përjashtohen nga tatimi: dhurimet dhe trashëgimia e përfituar nga ata që do të kualifikoheshin si trashëgimtarë ligjorë në rradhë të parë dhe të dytë; dhurimet dhe trashëgimitë të marra nga ata që do të kualifikoheshin si trashëgimtarë të ligjshëm përveç shkallës së parë dhe të dytë, deri në 5 milionë lekë për tatimpagues për pasuritë e paluajtshme, dhe deri në 1 milionë lekë për pasuritë e luajtshme për tatimpagues. Si dhe kalimi i të drejtës së pronësisë trashëgimtarëve ligjorë nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur prona rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme.

Edhe në këtë rast, përjashtimi nga tatimi bëhet nëse trashëgimtari ose përfituesi i dhuratës provon që sendet e dhuruara ose të trashëguara janë tatuar paraprakisht ose janë raportuar nga i vdekuri ose dhuruesi. Në rastet e tjera norma tatimore është 15 %”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu