Shqipëria, duket se është duke kaluar një situatë të vështirë përsa i përket pandemisë së koronavirusit. Numri i të infektuarve, sipas ministrisë, është rritur ndjeshëm dhe shifrat e të shtruarve në spitale janë shqetësuese. Lidhur me këtë ka reaguar edhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Në një nga kopshtet e Tiranës, duke theksuar rëndësinë e vaksinimit, ajo u shpreh se vaksina antiCovid do të jetë falas për të gjithë qytetarët.
Nuk dihet nëse qytetarët do pranojnë të bëjnë vaksinën antiCovid dhe për më tepër nuk ka informacion nëse ajo do bëhet e detyrueshme, apo jo.
Ajo tha:
Jemi duke punuar për të siguruar të gjithë investimet e nevojshme dhe trajnimin e stafit për vaksinën antiCOVID. Qeveria shqiptare është angazhuar nëpërmjet instrumentit COVAX dhe ka parapaguar 3.9 milion dollarë për të siguruar vaksinën antiCOVID për grupet e riskuara, për 20% të popullatës. Jemi duke punuar edhe me Komisionin Europian, por edhe me disa shtete të veçanta të Bashkimit Europian, për të mundësuar që në momentin që vaksina të jetë e disponueshme, Shqipëria të jetë në një linjë me vendet e tjera, për ta pasur vaksinën e sigurt, efektive dhe falas për të gjithë qytetarët.