Lideri bjellorus Alexander Lukashenka, ka thënë të enjten se Bjellorusia do t’i bashkohej luftës në Ukrainë “vetëm” nëse sulmohet nga ushtria e Kievit.
“Jam i gatshëm të luftoj bashkë me rusët nga territori i Bjellorusisë vetëm në një rast: nëse një ushtar nga (Ukraina) vjen në territorin tonë me armë dhe vret njerëzit e mi”, ka thënë lideri bjellorus në një konferencë të rrallë me gazetarë të huaj në Minsk.
“Kjo vlen edhe për fqinjët tjerë”, ka thënë Lukashenka.
“Nëse ata kryejnë agresion kundër Bjellorusisë, përgjigjja jonë do të jetë mizore. Më mizorja!” Minsku e ka lejuar Kremlinin ta shfrytëzojë tokën bjelloruse që të përgatitet për luftën e nisur kundër Kievit në shkurt të vitit të kaluar. Bjellorusia ende është nikoqire e disa ushtarëve rusë, mirëpo Lukashenka është zotuar se nuk do të dërgojë forcat e tij – që vlerësohet të jenë mes 60-70.000 në kufirin jugor me Ukrainën. Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të Lukashenkas, ka shqetësime se trupat e tij mund të përfshihen në luftë. Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë muajin e kaluar se përkrah planet për të krijuar qendër të përbashkët trajnimi me Bjellorusinë. Kjo deklaratë e tij pati ardhur pasi në tetor është raportuar për formimin e një force të përbashkët të Minskut me Moskën. Të dyja shtetet kryejnë shpesh stërvitje të përbashkëta ushtarake, duke insistuar se qëllimet janë krejtësisht për mbrojtje.