Lufta për territorin e drogës “asgjeson” bandën/ 17 të arrestuar në Itali, 5 prej tyre shqiptarë

0

Një grup i rrezikshëm kriminal shqiptar është shkatërruar nga policia italiane, pas një operacioni të mirëorganizuar. Si rezultat në pranga kanë rënë 17 persona, të cilët akuzohen për trafik të drogërave të forta, grabitje dhe dhunë.

Bëhet me dije se autoritetet policore italiane të Milanos në një mega-operacion të shtrirë në territoret e Milanos, Monza Brianza, Pavia, Alessandria e Asti, kanë shkatërruar një bandë kriminale të trafikut të drogës.

Sa i përket urdhër-ndalimeve mësohet se autoritetet kanë ekzekutuar 17 masa ndalimi, 5 prej të cilëve shqiptarë, 12 prej tyre janë vënë pranga, 2 të tjerë në arrest me burg dhe 4 persona janë shpallur në kërkim.

Gjatë hetimeve të finalizuara këtë të enjte autoritetet kanë zbardhur aktivitetin e tyre kriminal strukturuar në 2 grupime.

Grupi i shqiptarëve ishte i pozicionuar në zonën e Milanos dhe ishte i aftë të menaxhonte e trafikonte sasi të mëdha kokaine e heroine në territoret e Milanos, Bergamos, Monzas, Brianzas, Astit, Cremonas, Torinos dhe Veronës.

Ndërkaq, një nga 5 shqiptarët e arrestuar mësohet se është kapur në flagrancë teksa trafikonte lëndë narkotike.

Ndërsa grupi i tjetër, kryesisht i përbërë nga shtetas me origjinë afrikano veriore, menaxhonte tregun e pakicës për shitjen e dozave të hashashit dhe marijuanës. Aipas hetimeve mësohet se ata shpesh ishin të dhunshëm në aksionet e tyre për të mbrojtur kontrollin e territorit.

Hetimet e këtij operacioni kanë nisur pas shkatërrimit të një grupi trafikantësh shqiptarë më vitin 2020 si pasojë e një sherri mes grupeve rivale për kontrollin e territorit ku tregtohej droga.

Gjatë operacionit, trupat policore kanë identifikuar dhe një rafineri për përpunimin e kokainës e heroinës, si dhe banesa e garazhde të përdorura për ruajtjen e magazinimin e drogës.

Gjatë fazës finale të operacionit janë kapur 1 kg kokainë, 10 kg hashash, 2 kg marijuanë, 200 gramë heroinë e lëndë përzierëse për përpunimin e dozave të drogës si dhe rreth 240 mijë euro cash.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu