Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë lë më fuqi vendimin e Shkallës së Parë të Elbasanit për Arben Spahiun e Arsen Preçi, që u arrestuan për për një automjet tip BMW brenda së cilës u gjetën armë me të cilat kishte dyshime se do kryhej vrasje. Makina u gjet në shkurt të këtij viti në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan.
Gjykata e Elbasanit vendosi masën “Arrest me burg” për Arben Spahiu dhe Arsen Preçi në fund të shkurtit. Trupi gjykues caktoi një afat 60 ditor për prokurorin që po kryen hetimet, me qëllim gjetjen e provave. Ata u arrestuan pas gjetjes së mjetit, në brendësi të të cilit ishin 3 automatikë dhe dy shishe me benzinë.
Arben Spahiu akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”; ndërsa Arsen Preçi akuzohet për veprën penale “Mbajtja dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.