“Do vras veten”/ Vajza në Tiranë bullizohet nga shoku i klasës, drejtoresha-prindërve: Kërcënoni djalin…

0

Emisioni Fiks Fare solli rastin e një vajze të klasës së 8-të në shkollën 9-vjeçare “At Zef Pllumi”, e cila sipas të ëmës prej 2 vitesh bullizohet nga shoku i klasës në mënyrë të vazhdueshme.

Situatë e cila së fundmi ka shkuar në sharje në orën e mësimit, çka e ka prekur akoma më shumë vajzën.

E ëma e të miturës ka treguar për gazetarët se është ankuar disa herë tek mësuesja kujdestare, por nuk është bërë asgjë. Madje sipas saj është mbledhur këshilli i disiplinës i cili ka vendosur që djali të ndërrojë klasë deri në qetësimin e situatës, por kjo gjë nuk është zbatuar, pasi djali ditën pas këtij vendimi ka rishkuar në klasën e tij.
“Dua të më qetësohet vajza, ajo nuk do të shkojë në shkollë, ka rënë fare nga mësimet, më thotë do vras veten”, thotë e ëma e vajzës e përlotur.

Ndërkohë në mbledhjen e këshillit të disiplinës që Fiksi e solli me zë dhe figurë, drejtoresha e shkollës pranonte se sjellja e djalit ndaj vajzës ka qenë e përsëritur. Madje në prezencë të djalit dhe prindërve të tij drejtoresha e bën atë fajtor me ton të lartë. Dhe i thotë se do i ndërrohet klasa.
Ky vendim ka rënduar situatën psikologjike të djalit, ky i fundit këtë herë ka kërcënuar se do pijë fotoksinë, çka ka bërë që drejtoria e shkollës të kuptojë gabimin që ka bërë me marrjen e vendimit për ndryshim klase dhe ta rikthejë në klasë.

Fiksi solli komunikimin e drejtoreshës me prindërit e vajzës pasi dështoi në kalimin e djalit në tjetër klasë duke u sugjeruar këtyre të fundit kërcënimin e djalit.

“Ta kapte burri jot djalin dhe t’i thoshte do të zhduk dhe ai s’do e bënte më”, i thotë drejtoresha nënës së vajzës.

Gazetarët kërkuan një përgjigje nga drejtoresha e shkollës, por nuk e morën një të tillë. Kështu ju drejtuan Zyrës Vendore Arsimore, kjo e fundit sqaroi se shkolla e ka informuar për rastin dhe situatës mes fëmijëve që ka ndodhur vetëm njëherë. Pra drejtoresha e shkollës rastin e ka raportuar pranë ZVA-së si rast të ndodhur vetëm, duke rënë ndesh me ato çka drejtoresha ka thanë në komisionin e disiplinës, që rasti është i përsëritur.

Kështu për shkollën është e rëndësishme që të tjerët të mos e marrin vesh se çfarë ka ndodhur sepse nuk janë marrë masat në kohën e duhur.

Ndërkohë, psikologia Denada Toçe tregon se në shkolla ka një mungesë të theksuar të strategjive nga psikologët për trajtimin e bullizimit, dhe se ky i fundit mund të çojë dhe në dëmtim të vetes.

“Nuk duhen ndërshkuar fëmijët menjëherë, por duhen edukuar dhe duhet punuar me ta”, thotë Toçe.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu