Doza gati për shitje/ Arrestohen 2 persona në mes të bulevardit në Elbasan

0

Një tjetër goditje ndaj shpërndarjes së drogës është regjistruar në Elbasan, ku Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Bulevardi”, duke çuar në pranga dy persona.

Në pranga kanë rënë shtetasit F. P., 37 vjeç, i dyshuar si shpërndarës i lëndëve narkotike, dhe L. Xh., 34 vjeç, me precedent në këtë fushë, i akuzuar për moskallëzim krimi.

Sipas Policisë, të dy u kapën në flagrancë në bulevardin “Qemal Stafa”, teksa lëviznin me një automjet tip “Mercedes Benz”. Gjatë kontrollit, efektivët zbuluan kokainë dhe kanabis të ndara në doza gati për shitje, si dhe një shkop metalik me hapje.

Operacioni çoi në sekuestrimin e lëndëve narkotike, automjetit, 3 celularëve dhe një shume parash në euro dhe lekë, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.

Hetimet vijojnë, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.