SHBA- Kur dy astronautë amerikanë u nisën në një mision provë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës më 5 qershor, ata prisnin të ktheheshin në shtëpi brenda pak ditësh. Por gjërat nuk shkuan siç duhej.
Në fakt, Barry “Butch” Wilmore dhe Sunita Williams janë ende atje, duke qëndruar lart mbi Tokë gati dy muaj më vonë. Dyshja – të cilët kanë ngecur për një kohë të pacaktuar – tani përballen me perspektivën e papritur për të humbur krejtësisht verën dhe madje duke kaluar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në hapësirë.
Wilmore, 61 vjeç dhe Williams, 58, fluturuan me një anije kozmike Boeing Starliner në stacion. Ishte fluturimi i parë i këtij lloji me njerëz në bord dhe ishte një provë e krijuar për të parë se si funksionon anija e re kozmike përpara se të përdoret më rregullisht.
Pra, ndërsa ata arritën në stacionin hapësinor të sigurtë, do t’u duhet një mënyrë alternative transporti për të shkuar në shtëpi nëse Starliner nuk konsiderohet i sigurt për t’u kthyer në tokë. Në një konferencë shtypi të mërkurën, zyrtarët e NASA-s thanë se nuk ishte marrë asnjë vendim kur bëhet fjalë për hapat e ardhshëm.
Një opsion i mundshëm që po shqyrtohet, është bashkimi i dy astronautëve në një mision që është planifikuar të nisë në shtator dhe kthimi i tyre në tokë me atë mision në shkurt 2025.
Nëse përdoret Crew Dragon, anija Starliner do të kthehej në Tokë pa asnjë ekuipazh, nën kontrollin e kompjuterit. Përdorimi i një anijeje SpaceX për të kthyer astronautët do të ishte një goditje për Boeing, i cili është përpjekur për vite të tëra të konkurrojë me kompaninë dhe Crew Dragon e saj më me përvojë.
Edhe pse astronautët do të kalojnë shumë më tepër kohë në hapësirë sesa kishin planifikuar fillimisht, të tjerët kanë kaluar periudha shumë më të gjata mbi sipërfaqen e Tokës. Rusi Valeri Polyakov kaloi 437 ditë në hapësirë në bordin e stacionit hapësinor Mir në mesin e viteve 1990.
Vitin e kaluar, Frank Rubio u kthye nga ISS pas 371 ditësh, koha më e gjatë që një amerikan ka kaluar në hapësirë. Në njoftimet dhe intervistat e tyre, dy amerikanët kanë qenë optimistë për situatën.
“Unë nuk po ankohem që jemi këtu për disa javë shtesë,” tha Williams muajin e kaluar.