E shkuara dhe pistat e hetimit të dy personave që iu bë atentat në Elbasan

0

Saga e vrasjeve në Elbasan zor se do ndalojë një ditë. Mbrëmë qyteti u trondit sërish nga një atentat ku për pasojë humbi jetën Lulzim Bitri dhe mbeti i plagosur rëndë Ardian Çollaku. Sipas të dhënave, 3 persona kanë qenë të përfshirë në këtë atentat duke lëshuar nga një automjet në lëvizje rreth 18 plumba kallashnikovi.

Dy personat në fjalë janë dy emra të njohur për drejtësinë. Për shkak të së shkuarës së tyre kriminale, të dy këta persona lëviznin me mjete të blinduara, mirëpo atentatorët i kanë ruajtuar dhe kanë përfituar në një moment kur lëviznin në këmbë.

Fax News ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes menjëherë pas të shtënave me armë, si edhe kur makina e funeralit mbërriti për të marrë trupin e Lulzim Bitrit.

Menjëherë pas të shtënave me armë, një makinë është gjetur duke u djegur në zonën e Metarlugjikut. Kjo skemë rezulton e përdorur në shumë vrasje në vendin tonë, teksa autorët kryejnë ekzekutimin dhe djegin makinën për të fshirë gjurmët.

Policia e Shtetit ka reaguar vetëm njëherë për ngjarjen në fjalë, pak pas të shtënave, duke thënë se janë dy viktima, dhe që nga ajo kohë nuk ka reagim të dytë. Burimet nga spitali konfirmojnë se Çollaku ka pësuar vdekje klinike dhe ndodhet në Tiranë, për mjekim të specializuar, në gjendje të rëndë.

Tonin Vocaj, Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Arben Dashi, drejtori i Krimeve të Renda në Drejtorinë e Përgjithshme dhe Kreshnik Ajazi drejtues i prokurorisë së Elbasanit, shkuan në vendin e ngjarjes ndërsa, kanë nisur edhe shoqërimet e para, ku pritet që në vijim të hidhet më shumë drita mbi shkakun e këtij atentati të mirëorganizuar.

E shkuara kriminale

Si Ardian Çollaku ashtu edhe Lulzim Bitri rezultojnë me probleme me drejtësinë në shtetet fqinje. Lulzim Bitri ka një dënim prej 23 vitesh për të kryer në Itali për shfytëzim prostitucioni, por nuk dihet përse nuk ishte ekzekutuar ekstradimi drejt Italisë.

Nga ana tjetër, Lulzim Bitri rezulton i dënuar me 4 muaj burg nga shteti maqedonas pasi ishte i përfshirë në një përplasje me armë në Tetovë në vitin 2018 ku një person mbeti i vrarë. Ngjarja në vitin 2018 ndodhi në Reçicë të Vogël, shumë pranë selisë së Bashkimit Demokratik për Integrim. Mbi 40-vjeçarin nga Elbasani rëndonte akuza e vrasjes, e kryer në bashkëpunim si edhe akuza për mbajtjen e armëve të zjarrit dhe mjeteve shpërthyese.

Dyshimet

Dy personat në fjalë, pra viktima Lulzim Bitri dhe Ardian Çollaku dyshohet se janë të afërt me bandën e Talo Çelës, i njohur për një sërë veprash kriminale në Shqipëri. Talo Çela operon në grupin e Dubait, ku është i përfshirë deh Eldi Dizdari. Ky grup është kundërshtar me grupin e Erion Alibeajt, i cili është vëllai i Endrit Alibejt, që mbeti i vrarë në “Masakrën e Bradasheshit” në vitin 2018. Ardian Çollaku është një nga personat e hetuar për vrasjen e Everest Çakajt, i cili njihej si ‘truri’ i grupit të Erion Alibeajt, gjë e cila rrit dyshimet se vrasja e sotme mund të jetë bërë për larje hesapesh.Faxnews

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu