EDITORIAL NGA BLENDI HIMÇI!
Në vitin 2015, me bujë propagandistike, kjo qeveri nisi ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, duke premtuar mrekulli: mbetje të trajtuara, energji të gjelbër, një qytet të pastër.
Në prill 2017, me një tjetër spektakël, kryeministri e inaguroi impiantin mes duartrokitjesh false, duke premtuar se Elbasani do të çlirohej njëherë e mirë nga “kanceri mjedisor”.
Sipas qeverisë, impianti do të prodhonte rreth 17,250 MWh energji në vit dhe do të zgjidhte problemin e mbetjeve në qarkun e Elbasanit .
Megjithatë, realiteti tregoi të kundërtën se inceneratori ka funksionuar me ndërprerje dhe ka pasur defekte të shumta, duke çuar në grumbullimin e mbetjeve të patrajtuara në landfillin përkatës .
Sot e prej disa vitesh,qyteti ynë është në një situatë emergjence të vërtetë ekologjike.
Inceneratori është i fikur. Mali i mbeturinave rritet çdo ditë. Taksat tona vidhen për një shërbim që nuk ekziston.
ECO-ELB, kompania publike që duhet të administronte impiantin, vazhdon të paguhet me miliona euro për një proces që nuk ndodh: nuk ka incenerim, nuk ka trajtim mbetjesh, nuk ka energji të gjelbër.
Në vend të premtimeve, kemi një landfill që mbledh plehrat jo vetëm të Elbasanit, por edhe të gjithë qarkut dhe madje edhe të bashkive të tjera si Rrogozhina.
Qytetarët paguajnë 25 euro për ton për të “përpunuar” mbeturina që thjesht hidhen në natyrë ose digjen në mënyrë të paligjshme, duke helmuar lumin Shkumbin, tokat, ajrin që thithim dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.
Kjo është pasqyra e një qeverisjeje të dështuar dhe të korruptuar.
Një projekt që duhej të shpëtonte Elbasanin, është kthyer në një skemë të pastër grabitjeje dhe një katastrofë të paralajmëruar mjedisore.
Sot, inceneratori është vetëm një gropë e zezë financiare dhe një mal i zi mbetjesh, ndërkohë që qeveria vazhdon të heshtë dhe të fshehë përgjegjësitë.
Energjia e premtuar mbeti një mashtrim. Riciklimi u zëvendësua me korrupsion. Premtimet u dogjën bashkë me plehrat.
Si kandidat i Partisë Demokratike për deputet në Elbasan, ngre zërin në emër të çdo elbasanasi që kërkon të jetojë në një qytet të pastër, të shëndetshëm dhe dinjitoz.
Skandali me inceneratorin është dëshmia më e qartë se korrupsioni dhe mashtrimi janë fytyra e vërtetë e kësaj qeverie.
Më 11 maj, qytetarët e Elbasanit kanë mundësinë dhe detyrimin ta ndëshkojnë këtë qeveri me votë, për të mbrojtur shëndetin, dinjitetin dhe të ardhmen e tyre.
Elbasani meriton më shumë!
Elbasani nuk mund të jetë viktimë e pazareve të Edi Ramës!
Nuk do të heshtim. Nuk do të dorëzohemi.
Elbasani do të ndëshkojë me votë✌🏻
Infoweb Media