Atentati ndaj Mondi Mëhalla në Elbasan/ Lihet në burg ortaku Xhino Ago dhe roja Kujtim Pisha! Seanca nën masa të rrepta sigurie

0

ELBASAN- Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Xhino Ago dhe Kujtim Pishën, të cilët akuzohen për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Edmond Mëhalla. Në seancën me dyre të mbyllura, vendimi u dha nga kryetarja e Gjykatës, gjyqtarja Elis Dine.

Prokuroria e Elbasanit, përmes prokurorit të çështjes Gjergji Ceka, ka paraqitur kërkesën zyrtare me objekt “vleftësim arresti në flagrancë dhe caktim mase sigurimi” për dy të ndaluarit e parë, Xhino Ago dhe Kujtim Pisha. Kërkesa ishte regjistruar që ditën e enjte, ndërsa sot, nga ora 10:00, u shqyrtua në sallën e gjyqit nën praninë e forcave të shumta të sigurisë.

Gjithashtu Prokuroria ka depozituar një kërkesë të veçantë për masë sigurie edhe për të arrestuarin e tretë, Nevzat Spaho, i cili u arrestua pak ditë ë parë në Prrenjas dhe dyshohet si ekzekutori i biznesmenit. Ndërkohë, seanca për të pritet të mbahet gjatë fundjavës.

Si ndodhi ngjarja?

Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.

Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.

Gjithashtu automjeti i përdorur nga ekzekutuesit dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Elbasan–Librazhd.

Atentatorët pasi janë siguruar se 43-vjeçari ndërroi jetë larguar me Audin e zi në drejtim të aksit Elbasan-Librazhd. Policia ndërkohë njoftoi se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.