Ekzekutoi ish-drejtorin e OSHEE në 2016, del foto, ky është i dyshuari si vrasës me pagesë

0

Dorjan Keqi është autori i dyshuari vrasjes së ish-drejtorit të Tensionit të Lartë të Veriut, i cili u ekzekutua në një atentat në vitin 2016 në Rrëshen.

Drejtoria e Policisë Vendore Lezhë doli sot në një konferencë për mediat ku dha detaje për këtë ngjarje, ndërsa tha se ekzekutimi i tij ishte paguar nga një bandë kriminale që vepron në Lezhë.

Përveç kësaj, policia deklaroi se në banesën e vrasësit me pagesë, u gjetën dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 21 aparate celulare dhe 6 mbajtëse të kartave SIM.


Viktima Saimir Jaku

“Si rezultat i të gjitha veprimeve hetimore të kryera dhe bashkëpunimit intensiv me Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminimet laboratorike të provave të sekuestruara në vendngjarje, si dhe marrjes së çdo dëshmie të mundshme me interes për hetimin, vlerësimit të çdo informacioni, për identifikimin e autorit/ëve dhe zbardhjen e ngjarjes, strukturat hetimore të DVP Lezhë zhvilluan operacionin policor të koduar “GJURMA”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit D. K., 40 vjeç, lindur në Kurbin dhe banues në Krujë.

Në kuadër të hetimeve të kryera nga strukturat hetimore të DVP Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e grumbulluara, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë nxori urdhër ndalimi për këtë shtetas, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit”.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se e ka kryer krimin e vrasjes së shtetasit Saimir Jaku, kundrejt pagesës. Porositësit e vrasjes dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun Lezhë, tashmë të identifikuar dhe nën hetim nga ana e Policisë. Për shkak të cilësisë së hetimit dhe të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk mund të bëjmë publike të dhëna të tjera për këtë çështje.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit të ndaluar D. K., në kuadër të operacionit policor “GJURMA”, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 21 aparate celulare dhe 6 mbajtëse të kartave SIM.”-deklaroi drejtori Vehbi Bushati.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu