Elbasan/ Arrestohet 43-vjeçari në gjendje të dehur, procedohen 3 të mitur për sherr mes adoleshentësh, shpallet në kërkim biznesmeni që nxirrte inerte pa leje në lumin Devoll

0

ELBASAN – Policia e Elbasanit ka finalizuar disa veprime të ndara në kuadër të kontrolleve dhe hetimeve të përditshme.

Në pranga ka rënë D. I., 43 vjeç, pasi u kap nga Specialistët e Qarkullimit Rrugor duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit.

Ndërkohë, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Elbasanit kanë nisur procedim penal për tre të mitur të moshave 14, 15 dhe 16 vjeç, të cilët janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta me një tjetër 15-vjeçar në lagjen “Çlirimi”. I dëmtuari ka marrë ndihmë mjekësore dhe është larguar në banesë.

Në një rast tjetër, Policia e Cërrikut ka shpallur në kërkim shtetasin B. H., 52 vjeç, pasi gjatë një kontrolli të zhvilluar në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në fshatin Lumas, janë konstatuar dy kamionë me inerte pa leje dhe një ekskavator, të firmës që ai administron. Mjetet janë sekuestruar si provë materiale, ndërsa vijon puna për kapjen e 52-vjeçarit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore.