Elbasan, 7 Shkurt 2025 – Policia e Elbasanit ka arrestuar një 44-vjeçar, i cili, në gjendje të dehur, ka përplasur një këmbësor dhe një mjet bujqësor të parkuar, përpara se të largohej nga vendngjarja. Në pranga ka rënë edhe një 55-vjeçar, pasagjer në automjetin e autorit, i cili nuk kallëzoi rastin.
Si rezultat i hetimeve të menjëhershme të kryera nga specialistët e qarkullimit rrugor, u identifikua dhe u arrestua drejtuesi i automjetit, shtetasi F. P., 44 vjeç. Nga hetimet e kryera dyshohet se ai ka aksidentuar këmbësorin F. K., 56 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës.
Gjithashtu, për moskallëzim të krimit, është arrestuar shtetasi A. B., 55 vjeç, i cili ishte pasagjer në automjet në momentin e aksidentit.
Automjeti i përfshirë në aksident është sekuestruar nga autoritetet, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.